KRYEFAQJA » LAJME » Rikthehet “Kamioni i lirisë”

Rikthehet “Kamioni i lirisë”

Muri i ambasadës gjermane në Tiranë, mund të pagëzohet pa droje si “Muri i vrasjes së frikës”. Një frikë që mbizotëroi për mëse gjysëm shekulli dhe që u kthye në simbol të lirisë falë një burri kurajoz si Ylli Bodinaku. Falë kurajos çmendurake të tij, më 2 korrik 1990, kamioni që drejtonte, do të shëmbte murin e pasëm të ambasadës gjermane, duke e kthyer në porten e lirisë për 5200 shqiptarë që hynë në ambasada në Tiranë 27 vite më parë. Sot në atë vend qëndron një instalacion gjysëm “Skode” pikërisht në memorie të asaj dite që shënoi edhe grushtin e parë të fortë ndaj regjimit komunist të Tiranës. “Ishin 38 vetë që vranë frikën, jo vetëm unë” thotë Bodinaku. “Unë vrava tmerrin, që do të çaja murin! Ja ku është muri, timoni…Zoti desh që ne të jetonim dhe jetuam. Dhe jam shumë i lumtur që e theva atë regjim” tha Bodinaku.
Eljan Tanini qe ka realizuar konceptin e instalacionit se bashku me protagonistin e asaj ngjarje, kanë vendosur ti japin një emër dhe një fytyrë kësaj qoshje të fshehur të Tiranës që u khye në simbol të vrasjes së frikës dhe rrugëdaljes në perëndim për mijëra shqiptarë. “Ideja ishte shumë e vështirë për të nisur diçka të bukur dhe për ti dhënë Tiranës një ide urbane, ku të gjithë qytetarët, shqiptarë dhe të huaj, të vizitojnë një histori që ka ndryshuar regjimin komunist duke na sjellë në demokraci” tha Eljan Tanini.
Instalacioni ka tërhequr vëmendjen dhe kujdesin e kryetarit të bashkisë së kryeqytetit Erion Veliaj dhe ambasadores gjermane. “Mirënjohja më e madhe i shkon Ylli Bodinakut, ndoshta një nga zërat më të guximshëm dhe një nga personalitetet më të guximshëm të Tiranës së asaj kohe” tha kreu i bashkisë Veliaj. “Heroi ishte një njeri i thjeshtë i cili merrte fuqi nga dëshira për të ndërruar një sistem dhe një regjim” shtoi ai.
“Kamioni i lirisë” drejtuar nga Ylli Bodinaku me 39 vetë të tjerë në të, hapën murin dhe çelën rrugën drejt lirisë për mijëra shqiptarë që refuzonin në heshtje regjimin komunist. Ndonëse muri është mbyllur dhe restauruar, e pandryshueshme mbetet dëshira e shqiptarëve për tu larguar sërish.

Sicred