KRYEFAQJA » LAJME » Riccardo Cocciante merr “Çelësi i Kryeqytetit” nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj

Riccardo Cocciante merr “Çelësi i Kryeqytetit” nga kryetari i bashkisë Erion Veliaj

Muzika çel dyer shpirtrash që ndryshe do të qëndronin të mbyllura. Mbi këtë kontekst simbolik i është dorëzuar kantautorit italian Riccardo Cocciante, “Çelësi i Kryeqytetit” nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
Në zyrën e tij kryebashkiaku priti mjeshtrin e muzikës Cocciante që shoqërohej nga këngëtarja Elhaida Dani dhe nga delegacioni i RTSH, të cilët kanë bërë të mundur vizitën dhe performancën e tij skenike në Festivalin e 56-të.
“Jam shumë i lumtur sot që kemi dy miq shumë të dashur për qytetin, të famshmin Roccardo Cocciante dhe të famshmen Elhaida Dani. Më vjen mirë sepse përfaqësojnë dy gjenerata të frymëzimit në Shqipër. Gjenerata e Cocciantes, që është gjenerata e prindërve tanë, që gjatë komunizmit jetonin ditë të vështira dhe në mënyrë ilegale gjenin frymëzim në këngë të bukura që hapnin dritare për një botë të re” tha Erion Veliaj kryetar i Bashkisë së Tiranës.
“Ju falenderoj për këtë dhurate sepse më bën të ndjehem pjesë e juaja, falë kësaj ndjehem pjesë e ketij vendi dhe kjo më bën të lumtur dhe me më tepër miq. Faleminderit për miqësinë tuaj” tha Roccardo Cocciante.
Ndërsa kanë vlerësuar ndryshimet e bëra në Tiranë, mjeshtri i muzikës dhe Elhaida Dani kanë zbuluar se çfarë do të prese publiku në natën e parë të Festivalit duke paralajmeruar një duet të jashtëzakonshëm skenik me perlat e “Notre Dame de Paris”.
“Sonte do të kemi fatin sërish të ngjitem në skenën e festivalit të RTSH dhe do e kem këtë fat duke u ngjitur bashkë me Riccardo Coccianten i cili është nder që rikthehet në vendin tonë” tha Elhaida Dani, një nga fitueset e festivaleve në RTSH. “Më ka mbështetur gjithmonë vazhdon t’a bëjë dhe fakti që pranon të kthehet në shtëpinë tonë është një nder për mua dhe më tej do kem dhe fatin që të këndoj një këngë nga “Notre Dame de Paris”” shtoi Dani.
Axhenda e kompozitorit italian këto ditë ka qenë edhe një njohje me Tiranën, por qershia mbi torte do të jetë intepretimi dhe prania e tij në skenën e Festivalit në Pallatin e Kongreseve ku ai jo vetëm do të intepretojë, por edhe do të zbulojë për publikun sekrete nga jeta e tij profesionale në intervistën me Adi Krastën.

Sicred