KRYEFAQJA » LAJME » Rezoluta e PE për Shqipërinë në hapat e fundit
Rezoluta e PE për Shqipërinë në hapat e fundit

Rezoluta e PE për Shqipërinë në hapat e fundit

Rezoluta mbi Raportin Vjetor për Shqipërinë është përpunuar tashmë në pjesën më të madhe të saj. Korrespondetja e RTSH-së në Bruksel Arta Tozaj, ka siguruar 18 amendamente të ashtuquajtura të kompromisit nga 231 që kishin paraqitur eurodeputetët mbi dokumentin e zoti Knut Flekenshtain. Rezoluta që do të kalojë me votim në Parlamentin Europian, nxit përfundimin e rishikimit të kodit zgjedhor, por pa përmendur votimin elektronik.

Nga 231 amendamente të paraqitura nga eurodeputetët për raportin e Knut Fleckenstein, pranë sekretariatit të Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Europian, më 10 Janar, ndjekës-raportuesit e grupeve të ndryshme politike për Shqipërinë, janë pajtuar tashmë për të përmbledhur pjesën dërrmuese në 18 amendamente kompromisi.
Pasi përgëzohet votimi unanim i ndryshimeve kushtetuese për reformën e drejtësisë, amendamenti i parë i kompromisit bën të qartë se “zbatimi i plotë dhe në kohë i reformave për të 5 prioritetet kyçe dhe angazhimi i qëndrueshëm politik janë thelbësore për të avancuar më tej në procesin e anëtarësimit në BE” dhe vendi inkurajohet për të dëshmuar “gjurmë provash të forta” mbi këto reforma.
Për klasën politike, në vijim, flitet mbi rëndësinë e “besimit reciprok”, “krijimit të një dialogu të mirëfilltë politik” dhe “arritjen e bashkëpunimit konstruktiv”. Në prag të zgjedhjeve, inkurajohet finalizimi i rishikimit të kodit zgjedhor, por njësoj si rezoluta e PPEsë, një javë më parë, nuk përmendet as “votimi elektronik” dhe as “përgjegjësia e qeverisë mbi organizimin e zgjedhjeve”, ndërkohë që me një paragraf të ri shtesë kërkohet shmangia e autorëve kriminal nga listat e kandidatëve.
Amendamenti i pestë i kompromisit “Bën thirrje ndaj Komisionit Ad-Hoc parlamentar për reformën elektorale, që të finalizojë pa pengesa rishikimin e kodit zgjedhor, ndërkohë që trajton të gjitha rekomandimet e mëparshme të OSBE-ODIHR dhe duke forcuar transparencën e financimit të partive dhe integritetin e procesit elektoral”. Ai bën thirrje ndaj autoriteteve kompetente për të garantuar zbatimin në kohën e duhur, përpara zgjedhjeve parlamentare të radhës së qershorit 2017, si dhe të sigurojë pavarësinë dhe depolitizimin e administratës zgjedhore. Amendamenti rikujton se të gjitha partitë politike janë përgjegjëse për të garantuar se zgjedhjet demokratike mbahen në përputhje me standartet ndërkombëtare.
Amendamenti bën thirrje ndaj autoriteteve për të inkurajuar organizatat e shoqërisë civile për pjesëmarrjen aktive në mbikqyrjen e të gjithë procesit elektoral. Ai rikujton se zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë vendimtare për të avancuar më tej në procesin e anëtarësimit në BE. Thekson nevojën për të trajtuar shqetësimet që lidhen me financimin e partive politike dhe një sistem të përgjegjshëm auditimi.
Ndërkaq amendamenti i gjashtë bën thirrje ndaj partive politike shqipëtare për të respektuar ligjin, në frymë e në letër, mbi përjashtimin e autorëve kriminal nga postet publike kur hartojnë listat e kandidatëve të tyre për zgjedhjet e radhës dhe bën thirrje për zbatim të plotë të këtij ligji.”
Drejtësia përmbledh 13 amendamente në dy kompromise, ku kërkohet “miratimi pa pengesa” dhe “zbatimi i besueshëm” i të gjitha akteve nënligjore të nevojshme, përfshirë ligjin për rivlerësimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe këshilltarëve ligjor, ndërsa shënohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese pas opinionit pozitiv të Komisionit të Venecias, si dhe kujtohet rëndësia e zbatimit të kësaj reforme për fushat e tjera kyçe. Por, ndërsa mirëpritet strategjia e re e reformës 2017-2020 me planet e veprimit që synojnë rritjen e profesionalizmit, efiçencës dhe pavarësisë së sistemit gjyqësor, shprehet “keqardhje” për ndërhyrjet politike dhe një sërë mangësish të tjera .
Ndërkaq kompromisi i katër “ … Shpreh keqardhjen se administrata gjyqësore vazhdon të jetë jo-efikase dhe e ngadaltë. Vëren mungesën e progresit në plotësimin e vendeve të lira në Gjykatën e Lartë dhe gjykatat administrative dhe përdorimin efektiv të sistemit të unifikuar të menaxhimit të rasteve. Ai bën thirrje për trajtimin e çdolloj parregullsie në funksionimin e sistemit gjyqësor, përfshirë mungesën e pavarësisë nga ndërhyrjet politike dhe të tjera degë pushteti, drejtësinë selektive, llogaridhënien e kufizuar, mekanizmat mbikqyrës jo-efektiv, korrupsionin, kohëzgjatjen e përgjithshme të masave gjyqësore dhe zbatimit të tyre.
Amendamenti shpreh keqardhjen për ndërhyrjen politike në ndjekjet dhe rastet gjyqësore, ndaj bën thirrje për forcimin në praktikë të pavarësisë së gjyqësorit. Ai bën thirrje për angazhim të mëtejshëm në fushën e drejtësisë administrative, duke trajtuar çështje të tilla si qasja efektive ndaj gjykatave dhe shpërndarja e burimeve për të mundësuar punën efikase të këtyre gjykatave. Thekson se një reform e sistemit të drejtësisë penale duhet të synojë të mbajë autorët përgjegjës dhe të promovojë rehabilitimin dhe ri-integrimin e tyre, ndërsa siguron mbrojtjen e të drejtave të viktimave dhe të dëshmimtarëve të krimit.”
Megjithëse jo pjesë kompromisi,me amendament të posaçëm i djathti Eduard Kukan përsërit “keqardhjen se autoritetet kompetente nuk kanë bërë një ndjekje penale efektive” dhe i “fton për të dhënë drejtësi, pa vonesë, mbi viktimat e ngjarjeve të 21 janarit 2011 .
Ashtu si dhe në raportet para-ardhëse, korrupsioni mbetet “problem serioz”. Amendamenti kompromis mbi korrupsionin “Mirëpritet miratimi i pjesëve kyçe të legjislacionit kundër korrupsionit, përfshirë mbi mbrojtjen e informatorëve. Megjithatë vijon shqetësimi se korrupsioni mbetet i lartë e mbizotërues në shumë fusha dhe vazhdon të paraqesë një problem serioz, që shkatërron besimin e njerëzve tek institucionet publike; ka shqetësim se Institucionet kyçe kundër korrupsionit vazhdojnë të jenë subjekt i ndërhyrjeve politike dhe kanë kapacitete të kufizuara administrative. Ai vë në dukje se shkëmbimi i të dhënave dhe bashkëpunimi i varfër ndërinstitucional vazhdojnë të pengojnë hetimin proaktiv dhe ndjekjen efektive të korrupsionit. Amendamenti thekson nevojën për një kuadër ligjor më të duhur për konfliktet e interesit, rrregullimin e lobimit, një bashkëpunim më të mirë ndërinstitucional, veçanërisht mes shërbimeve të prokurorisë e policisë, në mënyrë që të përmirësohen gjurmët e provave mbi hetimet, ndjekjet dhe dënimet, përfshirë në rastet e nivelit të lartë.”
Edhe në fushën e krimit të organizuar, amendamenti kompromis thekson nevojën e bashkëpunimit ndërinstitucional për shkatërrimin e rrjeteve kriminale dhe për më shumë dënime përfundimtare. Amendamenti i tetë “ Ka shqetësim se mbeten shumë të ulta gjurmët e provave për ngrirjen dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Bën thirrje për rritjen e kapaciteteve, përdorimin e hetimeve financiare dhe përmirësimin e dëshmive, në këtë kuadër. Ai vë re se pavarësisht tendecës së ngjitjes për rastet e hetimit të pastrimit të parave, numri i dënimeve përfundimtare mbetet i ulët.
Ndërkaq amendameni i dhjetë i kompromisit “ Ndërsa mirëpret operacionet e fundit kundër plantacioneve të kanabis, bën thirrje për rritjen e masave për të çrrënjosur kultivimin e drogës, prodhimin e trafikun në Shqipëri, si dhe rrjetet e lidhura të krimit të organizuar, duke përfshirë edhe përmes forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar. Vihet në dukje, megjithatë, se policia dhe prokuroria nuk arrijnë të identifikojnë rrjetet kriminale pas kultivimit të drogës
Një tjetër amendament bën thirrje për intensifikimin e përpjekjeve për të trajtuar përhapjen e pakontrolluar dhe trafikimin e paligjshëm të armëve, përfshirë edhe përshpejtimin e bashkëpunimin me BEnë për këtë qëllim, përmes shkatërrimit të rezervës së mbetur të armëve të vogla dhe të lehta, si dhe duke përmirësuar gjendjen e depove; Ka shqetësim për shkallën tepër të lartë të vrasjeve me armë zjarri në Shqipëri;”
Shqipëria inkurajohet për përmirësimin e kuadrit ligjor mbi mbrojtjen ndërkombëtare të statusit për refugjatët dhe bëhet thirrje për të shtuar përpjekjet në parandalimin e trafikut të qënieve njerëzore, pasi shprehet shqetësimi për rritjen e rasteve, së fundmi. Për shkak të mbipopullimit të burgjeve e keqtrajtimit të të dyshuarëve në polici, rekomandohet rishikimi i qasjes së ndëshkimit, për riklasifikimin e veprave penale dhe rritjen e zgjedhjeve për alternativat e dënimit me burg. Toleranca fetare çmohet me rëndësi në parandalimin e radikalizmit islamik dhe vlerësohet kuadri ligjor për luftën kundër financimit të terrorizmit.
Me shqetësim shihet dhe ritja e numrit të azilkërkuesve në Europë. Amendamenti i 17-të i kompromisit “Vëren me shqetësim se numri i kërkesave të pabaza për azil të shqiptarët në Shtetet Anëtare të BEsë është rritur përsëri dhe kërkon që qeveria të marrë masa të menjëhershme dhe të vendosura për të trajtuar këtë fenomen dhe për të intensifikuar ndërgjegjësimin, mbështetjen ekonomike e sociale dhe parandalimin e përpjekjeve në këtë drejtim, si dhe trajtimin e faktorëve shtytës në lidhje me papunësinë strukturore dhe mangësitë në politikat e mbrojtjes sociale, arsimit dhe shëndetësisë. Ai thekson nevojën për të siguruar burime të mjaftueshme njerëzore për Drejtorinë e Përgjithshme të Kufirit e Migracionit dhe për Policinë Kufitare, si dhe për të përmirësuar bashkëpunimin e duhur ndërinstitucional për të luftuar më mirë kundër migracionit të parregullt.”
Megjithë “progresin e qëndrueshëm” në reformat e administratës publike dhe të menaxhimit të financave publike, me amendament kompromisi kërkohet “konsolidimi i arritjeve” për një administratë më “efiçent, të depolitizuar, transparent, dhe profesional, e cila do të mundësojë drejtimin efikas të negociatave të anëtarësimit në BE.” Gjithashtu, bëhet thirrje “për forcimin e autoritetit, të autonomisë, efikasitetit dhe burimeve për strukturat e të drejtave të njeriut, përfshirë për Avokatin e Popullit.
Eurodeputetët pajtohen se media njeh progres të kufizuar gjatë 2016-s . “ Shpreh keqardhjen për progresin e kufizuar në fushën e lirisë së medias, vitin e kaluar. Rithekson rëndësinë kritike për pavarësinë dhe profesionalizmin e shërbimit të medias publike dhe private. Është i shqetësuar për ndikimet politike në media dhe vetë-censurën e përhapur në mesin e gazetarëve. Vë në dukje zbatimin e ngadalshëm të ligjit për mediat audiovizive dhe vonesat në plotësimin e vendeve tek Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA). Bën thirrje për masa për të rritur standardet etike dhe profesionale, për mbizotërimin e kontratave të rregullta të punës për gazetarët, për të rritur transparencën e reklamave qeveritare në media dhe për të siguruar pavarësinë, paanshmërinë dhe llogaridhënien e autoritetit rregullator dhe transmetuesit publik, sidomos në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare”
Mirëpritet krijimi i Këshillit Kombëtar për shoqërinë civile dhe i bëhet thirrje Shqipërisë për të miratuar kuadrin ligjor për mbrojtjen e pakicave dhe për të ratifikuar kartën europiane për gjuhët rajonale dhe minoritare, si dhe për mekanizma më të mirë institucional për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve dhe për të parandaluar punën e tyre. Vërehet me shqetësim rritja e rasteve për dhunën ndaj grave.
Ndërkohë që shtatë amendamente janë përfshirë në kompromisin mbi çështjet e mjedisit. “Vëren me shqetësim se kapacitetet e kufizuara administrative për zbatimin e ligjit të mjedisit dhe menaxhimi i dobët i mbeturinave e ujit, që shpesh çojnë në krime mjedisore, duke kërcënuar burimet ekonomike të Shqipërisë dhe përbën pengesë për kalimin drejt një ekonomie të burimeve efiçente. Amendamentet nënvizojnë nevojën për të përmirësuar cilësinë e vlerësimeve të ndikimit të mjedisit, si dhe për të garantuar pjesëmarrjen publike dhe konsultimin e shoqërisë civile në projektet përkatëse. Ato theksojnë rëndësinë vendimtare për të përmbushur objektivat e ndryshimeve klimatike, pa ndikuar negativisht ndaj biodiversitetit, peisazhit, burimeve ujore, faunës, florës dhe ndaj popullatës së prekur lokale.
Amendamentet theksojnë  se shpesh ndikimi mjedisor i hidrocentraleve nuk vlerësohet siç duhet për të siguruar përputhjen me standardet ndërkombëtare dhe legjislacionin përkatës të BE-së për natyrën. Qeveria këshillohet të marrë në konsideratë krijimin e Parkut Kombëtar të Vjosës dhe të braktisë planet për hidrocentrale të reja përgjatë Vjosës dhe degëve të saj. Amendamentet kërkojnë përafrimin e mëtejshëm me legjislacionin e BE-së në fushën e energjisë, në veçanti për miratimin e një strategjie kombëtare të energjisë, në mënyrë që të rrisë pavarësinë energjitike dhe efikasitetin. Përshëndet planin kombëtar të veprimit 2015-2020 për burimet e ripërtërishme të energjisë.”
Vendi lavdërohet për përshtatjen e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BEsë e theksohet domosdoshmëria e kontributit të vazhdueshëm konstruktiv të Shqipërisë për stabilitetin politik në rajon. Ndërsa vlerësohet forcimi i mardhënieve bilaterale me Serbinë, veçanërisht për të rinjtë, dhe pjesëmarrja në disa iniciativa rajonale, theksohet se fqinjësia e mirë është kusht në proceset e zgjerimit dhe stabilizim-asocimit. Amendamenti “Vëren fërkimet e fundit në mardhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe u rekomandon të dy palëve të shmangin veprime, ose deklarata, që mund të kenë një ndikim negativ ndaj tyre.” Me amendament të posaçëm, eurodeputeti Notis Maria i “kërkon qeverisë shqipëtare të respektojë minoritetin etnik grek në Epirin e Veriut”, siç e quan ai “dhe të ndalojë menjëherë konfiskimin e paligjshëm të pronës së grekëve në rajonin e Himarës”. Megjithëse paragrafet e pajtuara mes grupeve kryesore politike përbëjnë bazën e tekstit të draft-rezolutës për Shqipërinë, amendamentet e veçanta të eurodeputeteve do t’i nënshtrohen gjithashtu fuqisë së votës, fillimisht të martën në Komitetin e jashtëm europarlamentar, dhe në mes të Shkurtit, në seancën plenare të Strasburgut.

Sicred