KRYEFAQJA » LAJME » “Revolucion Shkodran”, Lika në stol, Hasani Drejtor Sportiv
"Revolucion Shkodran”, Lika në stol, Hasani Drejtor Sportiv

“Revolucion Shkodran”, Lika në stol, Hasani Drejtor Sportiv

Pas një qetësie deri në frikë dhe zhvillimeve që pak kishin të bënin me futbollin e luajtur tek Vllaznia duket se gjërat po lëvizin, edhe për faktin se nuk ka më kohë. Një revolucion ishte i nevojshëm në klubin kuqeblu, pas rënies në Kategorinë e Parë dhe për të ndryshuar rrjedhën e historisë  njeriu i përzgjedhur në Shkodër është Hasan Lika në rolin e trajnerit dhe Alban Hasani në rolin e Drejtorit Sportiv. Bisedimet janë në fazën e fundit dhe pritet vetëm zyrtarizimi nga Bordi i klubit. Për Likën kuqeblutë kanë qenë skeptik, jo për potencialin që ofron tekniku kryeqytetas, por për lidhjen e hershme me Partizanin, klub me të cilin marrdhëniet e Vllaznisë janë ftohur shumë në fund të kampionatit të kaluar, që përfundoi me rënien e shkodranëve një Kategori më poshtë. Megjithatë, për atë që tregoi në Gjirokastër me Luftëtarin, Lika është një siguri në tentativën e kuqebluve për tu kthyer menjëherë në elitën e futbollit. Krah teknikut do të jetë edhe Hasani si Drejtor Sportiv, njeri që e njeh mirë ambjentin, me një CV jo vetëm si drejtor i Akademisë, por edhe si asistent në pankinën shkodrane në dy ndeshjet e fundit të sezonit të kaluar. Administratori i klubit, Suad Lici, është gati të nisë punën me të gjithë strukturat, në përgatitje të sezonit të ri. Për momentin vetëm Kalaja, Cinari, Vucaj, Malota, Berisha e Mersini janë të konfirmuar si të larguar, ndërsa për të tjerët do të vendoset menjëherë pasi të grumbullohet skuadra. Vllaznia nuk ka kohë për të humbur, madje është vonë, ndaj dhe po punohet me shpejtësi për konfigurimin e strukturave, ku më të rëndësishmet duket se janë zgjidhur.

Sicred