KRYEFAQJA » LAJME » Rekord kokaine në Durrës, Rama: Hap përpara në përballjen me krimin e organizuar

Rekord kokaine në Durrës, Rama: Hap përpara në përballjen me krimin e organizuar

Sekuestrimi i 613 kg kokainë në Durrës është komentuar nga kryeministri Edi Rama si një hap i madh në përballjen e shtetit me krimin e organizuar. Në një postim në llogarinë e tij në FB , kreu i qeverisë cilëson operacionin e policisë së shtetit si shembullor, e me domethënie të madhe. “Operacioni më i fundit i Policisë së Shtetit, kryer në bashkëpunim me Hetimin Doganor dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, shënon një hap të madh përpara të shtetit tonë në përballjen me krimin e organizuar. Kapja e një sasie shumë të konsiderueshme kokaine, më e madhja e kapur ndonjëherë në vendin tonë, përmes ndërveprimit mes agjencive tona ligjzbatuese, ka një domethënie të plotë për vendosmërinë, gatishmërinë dhe aftësinë që po fitojmë dita-ditës në këtë përballje. Por padyshim shumë domethënëse, edhe për integritetin e strukturave tona ligjzbatuese”. Dëshmi për këtë sipas kryeministrit është edhe fakti që ky operacion është zhvilluar i gjithi në territorin e vendit, pa asnjë sinjalizim nga vendet europiane. Meritë të veçantë për suksesin e këtij operacioni kryeministri Rama i njeh strukturave të policisë së shtetit. “Përgëzime Policisë së Shtetit, që ka hyrë me vendosmëri e gatishmëri të lartë në fazën e re të luftës kundër krimit, ku Forca e Ligjit nuk është vetëm emri i një strukturë të posaçme antikrim, po një vijë sjelljeje e Policisë së Shtetit si e tërë dhe në çdo front” shkruan kryeministrin Rama në postimin e tij në fb.

Sicred