KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në Drejtësi, të enjten prova e 94 votave
Institucionet e Drejtësisë, ngrihet nënkomisioni Ad - HOC

Reforma në Drejtësi, të enjten prova e 94 votave

Parlamenti shqiptar do të jetë të enjten në një provë të rëndësishme për zbatimin e Reformës në Drejtësi. Në rendin e ditës së punimeve janë parashikuar të votohen në bllok sipas përcaktimeve kushtetuese kandidatët për anëtarë jogjyqtarë dhe joprokurorë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Për të votuar dhjetë anëtarët e rinj të qeverive të gjyqësorit, duhet të sigurohen të paktën 94 vota, ndryshe procesi do të quhet nul. A do të arrijnë nesër demokratët dhe socialistët të bashkojnë 94 vota, për të ngritur dy organe të reja të Reformës në Drejtësi? Kjo do të mësohet gjatë seancës plenare të së enjtes, ku në pikën 7 dhe 8 të rendit të ditës do të lexohen raportet e nënkomisionit që përzgjodhi dhjetë emra nga avokatia, shoqëria civile dhe trupa e pedagogëve.
Zhvillimet e dy ditëve të fundit tregojnë se opozita e ka kontestuar procesin e kryer deri tani, pasi ka argumentuar se ka parregullsi në mënyrën sesi u përzgjodhen kandidatët e listës finale. Nëse të enjten nuk do të votohen dy listat, atëhere e gjithë procedura do të rikthehet nga e para në tryezën e punës së nënkomisionit të posaçëm, i cili ka administruar 32 kandidaturat fillestare. Nëse nuk do të arrihet konsensus në seancen plenare, praktikisht i gjithë proçesi i ngritjes së këshillave të reja do të shtyhet në kohë. Komuniteti ndërkombëtar u ka bërë thirrje palëve të lenë mënjanë ankesat dhe të përshpejtojnë Reformën në Drejtësi, kusht për çeljen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

Sicred