KRYEFAQJA » LAJME » Reforma në drejtësi, gjyqtarë e prokurorë në ankthin e vettingut

Reforma në drejtësi, gjyqtarë e prokurorë në ankthin e vettingut

Ligji me të cilin do të kontrollohen gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri mbush një vit që pas hyrjes në fuqi të plotë vepruese. “Vettingu” pritet t’u japë njerëzve të drejtësisë çertifikatën e vlerësimit për pasurinë dhe biografinë profesionale, proces që po kryhet në heshtje nga komisionet e “Vettingut”.
Kushtetuta përcakton se gjyqtarët dhe prokurorët që nuk e kalojnë me sukses kontrollin e pasurisë dhe figurës nuk mund të mbajnë me detyrën në sistemin e drejtësisë.
Neni 179 i kushtetutës së ndryshuar në mes verën e vitit 2016 përcakton qartë se moskalimi me sukses i procesit të rivlerësimit përbën shkak për mbarimin e menjëhershëm të ushtrimit të detyrës. Në të njëjtin nen thuhet se subjektet e tjera të cilët e kalojnë me sukses rivlerësimin, emërohen gjyqtarë ose prokurorë sipas ligjit.
Por çfarë ka ndodhur që pas hyrjes në fuqi të ligjit themelor të Reformës në Drejtësi, ligjit të vettingut?
Trupa e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka vetëdorëzuar në Inspektoriatin e Lartë të Deklarimit të Pasurive formularët ku përshkruhen pasuritë e tyre. Që prej atij momenti e sidomos muajt e fundit me ngritjen e komisioneve të vettingut, vijon skanimi i pasurive për njerëzit më të përfolur në Shqipëri pas politikës.
Koha kur nisi zbatimi i ligjeve të reformës në drejtësi përkoi edhe me nisje nga puna të misionit ndërkombëtar që ka një rol monitorues, por tepër domethenës në pastrimin e drejtësisë në Shqipëri.
Ajo çfarë e bën edhe me interesant procesin e kontrollit që po vijon në heshtje e për të cilin thuhet se do të ketë shumë shpejt rezultate, është se Kushtetuta e re u ka dhënë gjyqtarëve dhe prokurorëve një mundesi për tu vetëlarguar nga piramida e drejtësisë.
Në aneksin kushtetutës është parashkruar neni G sipas të cilit gjyqtari dhe prokurori mund të vetëlargohet nga sistemi i drejtësisë duke dhënë dorëheqjen. Kontrolli ndaj tij mund të ndërpritet, por fakti që një gjyqtar apo prokuror largohet në këtë fazë të procesit të vettingut do të thotë shumë publikisht.

Sicred