KRYEFAQJA » LAJME » Reforma e furnizimit me ujë të pijshëm

Reforma e furnizimit me ujë të pijshëm

Thuajse një muaj para nisjes së aksionit në sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm, ministri i infrastrukturës dhe energjisë Damian Gjiknuri i është drejtuar me një shkresë zyrtare të gjitha bashkive dhe shoqërive të ujësjellës kanalizimeve në vend të marrin masat në kuadër të kësaj reforme. Brenda këtij muaji, ndërmarrjet e ujësjellës-kanalizimeve duhet që të rishikojnë tarifat e lidhjes së kontratave të furnizimit me ujë, duke marrë në konsideratë lehtësirat që mund të bëhen. Nga ana tjetër ujësjellësave u kërkohet analiza e kostove duke ndarë pjesën administrative dhe kosto për vendosjen e matësit. Nga ana tjetër shkresa thekson se nisja e aksionit në terren pas 1 shkurtit për konsumatorët e ujit të pijshëm me verifikime derë më derë, adreson nevojën e dy planeve, atë të veprimit dhe planin e masave për mbledhjen e faturave të papaguara të ujit. Referuar shkreses bashkitë dhe ujësjellësat duhet që të dorëzojnë brenda javës së parë të muajit janar këto dy plane pranë Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizmeve. Bashkë me këtë kërkesë, ministri Damian Gjiknuri i kërkon të dy institucioneve përgjegjëse për aksionin e ujit që gjatë kësaj periudhe të vijojnë sensibilizimin me qytetarët me qëllim formalizimin e lidhjeve të paligjshme. Një ditë më parë, edhe kryeministri Edi Rama nxori një urdhër, i cili detyronte të gjitha institucionet publike dhe nëpunësit që të shlyejnë faturat e ujit, përmes një skeme të ngjashme me atë të përdorur për energjinë elektrike.

Sicred