KRYEFAQJA » LAJME » Redi Koçi mbyll 2017-ën me debutim mbresëlënës në Finlandë
Redi Koçi mbyll 2017-ën me debutim mbresëlënës në Finlandë

Redi Koçi mbyll 2017-ën me debutim mbresëlënës në Finlandë

Viti 2017 është mbyllur me një vend të 4-t në renditje, me 10 fitore dhe 6 humbje, por edhe me një paraqitje të jashtëzakonshme personale të Redi Koçit në sezonin premierë në kampionatin finlandez të volejbollit të meshkujve me ekipin Leka Voleji.
Sportisti që erdhi nga skuadra shqiptare surprizë e volejbollit të meshkujve të këtyre 5 viteve të fundit, Farka Volej, i zbuluar dhe stërvitur nga trajneri pasionant, Dritan Bardhi, u shndërrua shpejt në një nga lojtarët më të spikatur të Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për meshkuj, por edhe të Kombëtares shqiptare, fillimisht tek të rinjtë, pastaj tek të rriturit.
Forma e shkëlqyer e volejbollistit 2 metra e 3 centimetra të lartë bëri që në verë ai të shndërrohet, së bashku me Ildi Deliun dhe Anton Qafarenën, në 3 nga eksportet e suksesshme të rrjetës shqiptare në Evropë. Ndërkohë që Qafarena u zhvendos në Gjermani, Koçi dhe Deliu u zhvendosën në Finlandë.
Për shuterin kuqezi, kjo gjysmë e dytë e vitit 2017 ka qenë mbresëlënëse. Redi Koçi ka qenë thuajse çdo jave në formacionin më të mirë të kampionatit finlandez, ndërsa ka krijuar së bashku me shokun e tij të skuadrës, Samuli Kaislasalo, dyshen më rezultative të kësaj veprimtarie.
Ndërsa vendasi Kaislasalo është shënuesi më i mirë, me 338 pikë të realizuara në 16 ndeshje, Redi është në 6-shen e parë, me 231 pikë, ç’ka nënkupton se të dy bashkë kanë realizuar plot 569 pikë, nga 1,384 që ka realizuar gjithsej skuadra e tyre.
23-vjeçari ka një mesatare prej 14.4 pikësh të realizuara për çdo ndeshje, ndërsa duhet theksuar se nga këto 231 pikë, 194 ai i ka realizuar në sulm, 18 në bllok dhe 19 direkt nga shërbimi, që është edhe një aspektet e spikatura të lojës së tij.
Redi Koçi dhe skuadra e tij Leka Volej rikthehen në parket më 12 janar të 2018-ës, por forma e tij është një dimension i shtuar edhe për Kombëtaren kuqezi të volejbollit të meshkujve, që është angazhuar për një pjesëmarrje të zgjeruar në veprimtaritë ndërkombëtare të vitit të ardhshëm.

 

Sicred