KRYEFAQJA » LAJME » Reagime të shumta për vrasjen e gjyqtares
Reagime të shumta për vrasjen e gjyqtares

Reagime të shumta për vrasjen e gjyqtares

Vrasjen e gjyqtares Fildez Kasemi ka sjellë reagimin e menjëhershëm. “Mbrojtja e zonjës Kasemi ka qenë detyrim për autoritetet, të cilat tani duhet të nxjerrin pa u vonuar përgjegjësit dhe të mbajnë përgjegjësi për mosveprimin e tyre” bëhet e ditur në një njoftim për shtyp të Ministrisë së Drejtësisë. Sipas saj “Humbja e një gjyqtareje profesioniste është humbje për sistemin e drejtësisë”. Vetë ministri në detyrë Gazmend Bardhindërsa i shpreh “ngushëllime të sinqerta” familjes së gjyqtares së ndjerë, kërkon me forcë dënimin maksimal të autorit të kësaj ngjarjeje të rëndë kriminale.
Misioni i BE-së në Shqipëri ka reaguar me nota alarmante. “E tmerrshme! Një tjetër viktimë e dhunës në famlje në Shqipëri. Mbrojtja e grave të kërcënuara është qartazi një përgjegjësi e shtetit” është ndër të tjera reagimi online i këtij misioni. Sipas tij duhet një përgjigje e koordinuar e institucioneve përkatëse. “Gratë nuk duhet të jetojnë në frikë për të bërë jetën që duan”.
Shqetësimin e tij e ka shprehur edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. “Jam thellësisht i tronditur nga vrasja e ftohtë kriminale e një gruaje, një nëne, një gjyqtareje. Shteti dhe të gjithë ne e braktisëm Fildezën në fatin e saj tragjik. Ajo u lut e tmerruar për ndihmë dhe shpresoi, por u shpërfill nga një shtet dhe shoqëri e cila ka humbur forcën për të reaguar ndaj krimit dhe të keqes”, shkruan zoti Basha në rrjetet sociale. Sipas tij “Jeta e humbur e Fildeze Hafizit është një tragjedi që nuk duhej të kishte ndodhur, por edhe një shuplakë zgjimi për të gjithë, për të reaguar kundër krimit. Në një shtet që amniston kriminelët dhe nuk mbron as njerëzit e drejtësisë, jeta e çdokujt është e pambrojtur. Ne duhet të gjejmë forcën që të paktën fëmijët e Fildezes dhe të gjithë shqiptarëve të kenë një jetë më të sigurt” shkruan zoti Basha”.
Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi e konsideron ngjarjen si “akti më i rëndë dhe katastrofik që mund t’i ndodhë një vendi që pretendon të jetë anëtar i BE”. “Të gjithë ne mbajmë përgjegjësitë tona për këtë situatë të rëndë, por më shumë duhet të ndihen përgjegjës ata që e lanë nënën e dy fëmijëve në dorën e një vrasësi që disa herë e kishte paralajmëruar aktin e tij të burracakërisë” shkruan zonja Kryemadhi. “Qarravitjet në rrjetet sociale apo emisione televizive nuk mund ta zgjidhin kurrë këtë situatë të rënduar të krimit në familje. Duhet që çdo gjë të nisë nga vetë ne” shprehet kryetarja e LSI.