KRYEFAQJA » LAJME » Reagime pas vrasjes së Ivanoviçit

Reagime pas vrasjes së Ivanoviçit

Një prej udhëheqësve kryesorë të serbëve në Kosovë, Oliver Ivanoviç është ekzekutuar me armë zjarri paraditen e sotme. Ivanoviç është qelluar me katër plumba në gjoks para se të hynte në zyrën e tij, në veri te Mitrovicës. Sulmi ndodhi rreth orës 09:00. Pas atentatit ai u shoqërua menjëherë për në spital, por nderroi jete si pasojë e plagëve të marra. Makina e personave që dyshohet se kanë qëlluar ndaj Ivanoviç është gjetur e djegur në Zveçan. Forca të shumta të policisë së Kosovës mbërriten menjehere në vendin e ngjarjes dhe nisën kontrollet për kapjen e autorëve.
Oliver Ivanoviç kaloi më shumë se dy vite në burg si i akuzuar për krime lufte, deri kur u lirua në prill të vitit të kaluar. Në korrik të 2017, atij i dogjën makinën dhe për këtë fajësoi katër anëtarë të partisë së tij, duke i përjashtuar nga forca politike që drejtonte për shantazh.
Oliver Ivanoviç, në zgjedhjet e fundit lokale, ka qenë lider i nismës qytetare “Liria, Demokracia, Drejtësia”. Pas vrasjes së Oliver Ivanoviçit, Serbia ndërpreu menjëherë bisedimet që nisën sot në Bruksel dhe u vendos kthimi urgjent i delegacionit në Beograd.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç doli para mediave vendase në përfundim të mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit të Sigurisë, që ai e thirri pas vrasjes së Ivanoviç. Vuçiç e quajti akt terrorist dhe si i tillë do të trajtohet nga Serbia. “Autorët e këtij akti do të vihen para drejtësisë. Nëse ata që e kanë për detyrë nuk e bëjnë këtë, ne do ta bëjmë”, tha ai. Presidenti serb shtoi se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë është rënë dakord nisja e një letre për EULEX-in dhe UNMIK-un, me kërkesën që Serbia të marrë pjesë në hetimin e ngjarjes brenda territorit të Kosovës. “Nuk dua të spekuloj, por ka detaje interesante që na adresojnë tek autorët dhe kushdo që e ka kryer këtë akt, qoftë serb, shqiptar apo i huaj, do të përballet me drejtësinë”, tha Vuçiç. Presidenti komentoi edhe tërheqjen e delegacionit serb nga negociatat dypalëshe me Kosovën në Bruksel. “Kur kemi kërcënime të përditshme, është e pakuptimtë dhe e vështirë që të dialogojmë”, vijoi ai.
Edhe Qeveria e Kosovës e dënoi ashpër vrasjen e politikanit serb, duke theksuar se një veprim i tillë sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në të gjithë territorin e Kosovës. “Dhuna është e papranueshme, pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet”, thuhet në deklaratën e saj. Atentatin e dënoi edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ftoi qytetarët e të gjitha komuniteteve në veri të vendit që të bashkëpunojnë me organet e drejtësisë, për zbardhjen sa më të shpejtë të kësaj vrasjeje.
Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme, Federica Mogherini pas vrasjes së liderit të Nismës Qytetare Serbe zhvilloi një bisedë telefonike me Presidentin e Serbisë dhe atë të Kosovës, ku dënoni vrasjen. Mogherini nënvizoi faktin se policia e Kosovës duhet të gjejë autorët dhe t’i vendosë sa më shpejt përpara drejtësisë , duke shtuar se EULEX do të mbështesë autoritetet në përputhje me mandatin e tij.

Sicred