KRYEFAQJA » LAJME » Raporti i konkurrueshmërisë globale, Shqipëria përmirësohet me 5 vende

Raporti i konkurrueshmërisë globale, Shqipëria përmirësohet me 5 vende

Në raportin e fundit të konkurrueshmërisë globale, Shqipëria ka përmirësuar renditjen me 5 vende krahasuar me një vit më parë. Këtë vit, raporti i forumit ekonomik global e rendit Shqipërinë në vendin e 75-të në botë nga 137 shtete në total që janë analizuar në bazë të faktorëve të ndryshëm që përcaktojnë nivelin e konkurrueshmërisë në 12 shtylla kryesore. Me këtë rënditje vendi ynë mban pozicionin më të mirë në të gjithë rajonin duke lënë pas Serbinë, Malin e Zi, por edhe Greqinë dhe Bosnje Hercegovinen. Por megjithë përmirësimin në rënditje, raporti zbulon edhe anën tjetër të medaljes. Dy shqetësimet më të mëdha të biznesit vijojnë të jenë taksat dhe korrupsioni. Nëse një vit më parë i njëjti raport evidentonte si faktorin më problematik për të bërë biznes korrupsionin, për këtë vit, shqetësimi kryesor i sipërmarrjes sipas raportit janë taksat ndjekur nga korrupsioni. Po ashtu, lista me faktorët problematik për biznesin vijon me qeverisjen inefiçiente dhe burokratike, forca e papërshtatshme e punës, inflacioni apo etika e ulët e forcës së punës. Raporti i konkurrueshmërisë globale është një ndër dy më të rëndësishmit në nivel botëror, së bashku me Doing Bisnes të Bankës Botërore. Dhe sipas tij shteti më konkurrues në botë mbetet Zvicra, i ndjekur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Singapori, Holanda, Gjermania, Hong Kongu, Suedia, Mbretëria e Bashkuar dhe Japonia.

Sicred