KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Raporti i BSH: “Bizneset mbajnë pjesën e Luanit, individët më pak të kredituar”

Raporti i BSH: “Bizneset mbajnë pjesën e Luanit, individët më pak të kredituar”

Bankat në Shqipëri financojnë më tepër bizneset se sa individët. Ndryshe nga vendet e rajonit, në Shqipëri, kredia për biznese përbën pjesën më të madhe të portofolit të kredisë ne sektorin privat. Raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë për kreditimin vlerëson se huaja për biznese arrin në rreth 23.2% të prodhimit të brendshëm bruto. Nga ana tjetër portofoli i kredisë së individëve zë 12.1% të prodhimit kombëtar. Ndërkohë që sipas raportit, në shumë prej vendeve të rajonit, individët janë më të financuar nga sektori bankar sesa bizneset. Kështu, në Poloni, Kroaci, Republikë Çeke dhe Rumani, raporti i kredisë për individë ndaj PBB-së është dukshëm më i lartë, se ai i kredisë për biznese ndaj PBB–së. Në vende të tjera si Serbia apo Maqedonia, ky raport është ndjeshëm më i balancuar. Ndërsa në Shqipëri dhe në Bullgari bizneset zënë pjesën më të madhe të kredive të dhëna nga sektori bankar. Por pavarësisht kësaj peshe, ecuria e kredisë për biznese duket e paqëndrueshme. Sipas Bankës Qëndrore zhvillimet në këtë portofol kushtëzohen nga kërkesa e ulët e biznesit për kredi, si dhe nga kushtet relativisht të shtrënguara të kreditimit në këtë segment. E kundërta ndodh me individët. Referuar raportit për tendencat në kreditim, ecuria e huasë për individë mbështetet nga kërkesa e lartë e tyre për financim, në linjë me kushtet vazhdimisht të lehtësuara të kreditimit në këtë segment.

Sicred
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com