KRYEFAQJA » LAJME » Rama:Të skanohet dhe verifikohet çdo pronë e pasuri e botës së krimit

Rama:Të skanohet dhe verifikohet çdo pronë e pasuri e botës së krimit

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar verifikimin, sekuestrimin dhe ndëshkimin ligjor të çdo pasurie të elementëve kriminalë të konstatuar nga policia, por edhe të çdo personi të dyshuar që nuk ka burime të ligjshme financiare për ti zotëruar. Nga mbledhja e rradhës së Task Forcës kundër paligjshmërisë, zoti Rama tha se beteja kundër krimit ka shënuar rezultate shumë të larta, por duhet të vijohet me bllokimin e çdo kanali financiar.
“Në fazën ku hyjmë kërkohet një goditje shembullore e kapilare. Individë me një imunitet të marrë dhe të imponuar përmes rrugës së veprimtarisë kriminale, nuk duhet të gjejnë vrimë ku të futen në këtë komunitet dhe jo më të shfaqen si faktorë me influencë” tha zoti Rama. “Makina luksoze që sfidojnë ligjin, sigurinë publike, pasuritë e paluajtshme të këtyre shoferëve, që zotërohen prej tyre, dhe që janë të papunë luksi në këtë vend, llogari bankare të pajustifikueshme, biznese të palidhura nga një historik rritjeje financiare, duhet ti nënshtrohen një procesi kapilar dhe rigoroz verifikimi ligjor. çdo biznes duhet të kalojë në skaner” tha zoti Rama.
Kryeministri e cilësoi si tradhëtinë më të madhe të kësaj beteje, mbështetjen që i vjen botës së krimin nga brenda rradhëve të Policisë së Shtetit. Ai pati një paralajmerim të fortë. “Askush nuk është më i fortë se policia e shtetit. Forca e të fortëve këtu vjen nga implikimi i Policisë së Shtetit, nga tradhëtia brenda radhëve të policisë së shtetit. Tradhëtarët brenda policisë duhet të marrin mësimin më të merituar dhe më ekstrem siç ka ndodhur gjatë operacionit kundër kanabisit” tha zoti Rama.
Gjatë këtij viti, janë goditur 55 grupe kriminale, ndërsa prioriteti i policisë dhe Task Forces do të jetë evidentimi dhe bllokimi i çdo pasurie të dyshimtë duke nisur nga makinat, bizneset dhe pasuritë e paluajtshme.

Sicred