KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Zgjedhjet nuk do të shtyhen! Opozita po bashkohet me kundërshtarët e BE!
Rama: Zgjedhjet nuk do të shtyhen! Opozita po bashkohet me kundërshtarët e BE!

Rama: Zgjedhjet nuk do të shtyhen! Opozita po bashkohet me kundërshtarët e BE!

Kryeministri socialist Edi Rama përsëriti se data e zgjedhjeve të përgjithshme nuk do të shtyhet, ndërsa akuzoi opozitën se po punon kundër bashkimit të vendit me BE-në. Të dielën në komunikimin e tij të zakonshëm javor në Fejsbuk zoti Rama tha se kjo “Është një betejë që Shqipëria nuk mund ta humbasë përsëris siç e ka humbur në të shkuarën e largët dhe të afërt. Është një përplasje mes të ardhmes dhe të shkuarës që Shqipëria nuk mund ta shtyjë përsëri. Sot dua t’u them pse mendoj që në Shqipëri po merr pak e nga pak formë një qasje e re politike ndaj Bashkimit Evropian”. Ai akuzoi opozitën se është “…gati të bashkohen me kundërshtarët e BE-së, në rajon dhe në Evropë, në Perëndim dhe në Lindje, sepse e duan Shqipërinë si një çiflig pandëshkueshmërie, e duan Kushtetutën si një libër pa kuptim, i duan ligjet pa vlerë, i duan gjykatat pa din dhe politikën pa iman”.
Edhe një herë kreu i qeverisë dhe i PS, partia më e madhe në vend akuzoi PD, kundërshtaren e saj kryesore për pengim të Reformës në Drejtësi. “Nuk e duan 18 qershorin, sepse 18 qershori ndan përfundimisht Shqipërinë që lufton për drejtësi e punë të ndershme për secilin, për shtet dhe mirëqenie për njerëz të zakonshëm të këtij vendi, nga Shqipëria e drejtësisë së kapur, e punësimit sipas teserës së skllavërimit partiak për një copë bukë” tha zoti Rama. Ai u shpreh i bindur për fitoren e PS duke thënë se “Populli do të vendosë jo për Shqipërinë e 4 viteve të ardhshme, por për Shqipërinë që duam, për fëmijët dhe të moshuarit, për familjet e zakonshme dhe familjen e madhe të kombit tonë”.
Deklaratat e zotit Rama vijnë ndërsa të hënën në mbrëmje përfundon afati i regjistrimit në KQZ i partive që do të marrin pjesë në zgjedhjet e 18 qershorit. PD dhe parti të tjera të opozitës kanë deklaruar se nuk do të regjistrohen për të marrë pjesë në këto zgjedhje.

Sicred