KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Viti i Skënderbeut, yll orientues i rrugës sonë të përbashkët
Rama: Viti i Skënderbeut, yll orientues i rrugës sonë të përbashkët

Rama: Viti i Skënderbeut, yll orientues i rrugës sonë të përbashkët

Për Shqipërinë dhe Kosovën, viti 2018, Viti Mbarëkombëtar në përkujtim të heroi kombëtar të shqiptarëve Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, do të shërbejë si “yll orientues të rrugës sonë të përbashkët krah për krah njëri-tjetrit në funksion të një të ardhmeje më të mirë për të gjithë shqiptarët”. Deklarata është bërë nga kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin kosovar Ramush Haradinaj me rastin e vizitës së tij në Tiranë. Por zoti Rama tha se ky vit “nuk do të jetë vit qokash përkujtimore, por viti i shqiptarit të zakonshëm dhe i fëmijëve të kombit shqiptar, në sensin që t’i japim më të mirën tonë, duke çuar përpara procese dhe nisma që i shërbejnë të ardhmes, ku krenaria kombëtare vendoset në funksion të së ardhmes”. “Ky vit duhet të na shërbejë si busull e përbashkët ardhmërie por jo më pak edhe si një pakt i bashkuar përgjegjshmërie në funksion të njerëzve të zakonshëm të Shqipërisë, Kosovës dhe botës shqiptare në terësi” tha kryeministri shqiptar.
Zoti Rama u tregua mjaft konkret kur solli hollësi rreth asaj se çfarë synojnë të bëjnë sëbashku Shqipëria dhe Kosova. “Së pari, në lehtësimin e procedurave administrative për shtetasit që jetojnë në të dy anët e kufirit: lëvizje e lirë në kufi. Qytetarët ndeshen me një mur absurd që duam ta shembim, për ta nisur vitin e ardhshëm me një kufi simetrik, në ngjashmëri me kufijtë midis vendeve të BE-së. Natyrisht që nuk do të hiqen për fare kontrollet, por do të jenë të rralla” tha kryeministri i Shqipërisë.
Në fushën e ekonomisë zoti Rama veçoi se “Porti i Durrësit nuk është vetëm porti i Shqipërisë, por edhe porti i shqiptarëve të Kosovës. Ai duhet të kthehet në doganë të njehsuar të Shqipërisë dhe Kosovës. Është e padrejtë që sipërmarrjet shqiptare që çojnë mall në Kosovë të përballen me dy palë doganierë. Kjo do të finalizohet në mbledhjen e 27 Nëntorit” premtoi ai. Në fushën e arsimit zoti Rama tha se do të ketë “ekuivalentim diplomash dhe lehtësim në aksesin e tregut të punës që sot është problem për të rinjtë”.
Për kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj “Shqiptarët nuk na kanë lënë kurrë vetëm në rrugëtimin tonë dhe duam që rrugëtimin tonë drejt BE-së ta bëjmë së bashku”. “Kosova ka një rrugë të vështirë, por çdo herë e ka ndjerë që nuk është vetëm” tha ai. “Populli i Shqipërisë ka qenë me ne çdo kohë. Kosova është shumë e përgjegjshme ndaj komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Sot Kosova ndjen përgjegjësinë e vet si shtet i ri por dhe pjesën e punës dhe obligimeve që ka për shqiptarët kudo që janë. Interesimi për bashkëkombasit tanë që jetojnë jashtë mund të bëjë që të ndjejnë më shumë atdheun dhe të kemi një krah të fortë prej tyre për të gjitha sfidat, duke filluar nga ato ekonomike” tha zoti Haradinaj.

Para Mbrapa
t
Para Mbrapa
Sicred