KRYEFAQJA » LAJME » Rama u kërkon studentëve dialog: “O bashkë sot edhe për nesër, ose të ndarë për sot dhe për nesër”

Rama u kërkon studentëve dialog: “O bashkë sot edhe për nesër, ose të ndarë për sot dhe për nesër”

Kryeministri Edi Rama Ju ka kërkuar studentëve dialog për krijimin e një strategjie të përbashkët student-qeveri për t’i dhënë zgjidhje kërkesave të tyre, duke paralajmëruar “O bashkë sot edhe për nesër, ose të ndarë për sot dhe për nesër”.
Në një status në Fejsbuk zoti Rama shprehej se ishte “…shumë i bindur që ky është një moment i artë për të ndërtuar një mekanizëm bashkëqeverisje me studentët që të adresojmë një qasje këndgjërë problematikën e udhëkryqit ku ndodhet universiteti”. Për zotin Rama problematika e arsimit të lartë nuk janë as të reja dhe as të panjohura, as aq të rënda sa deri 5 vjet më parë. Ai pranoi se ka nevoja për më shumë financim, infrastrukturë, kusht më të mira, është e ditur. “Jam i pari që e di se nuk mjaftojnë dhe duhet bërë shumë e më shumë” tha kryeministri.
Ai tha se “sot nëse duam ta kthejmë këtë zgjim studentor momental në një moment vendimtar për reformimin e mëtejshëm të universiteitt, na duhet një lëvizje e fortë dhe e bashkuar”. “Pikërisht tani duhet tentuar një strategji e përbashkët student-qeveri” tha zoti Rama. Sipas tij “Për ta vënë në jetë këtë duhet një bashkim i qeverisë, studentëve dhe pedagogët që duan dalje nga qarku vicioz dhe jo zgjidhje nga qarku vicioz për të dalë nga korrupsioni dhe keqadministrimi i universitetit”. “Studentët nuk e bëjnë këtë nga poshtë pa qeverinë, sepse nuk kanë autoritet vendimmarrës, ndërsa qeveria nuk e bën dot nga lart pa ata. As qeveria nuk është pa kusure në këtë moment” shpjegoi kryeministri Rama.
Ai tha se mund bënte një manovër politike për të shuar protestën, por nënvizoi se “Dua të tentoj këtë bashkim në dukje të pamundur mes protestuesve dhe qeverisë”. “Do të kemi mundësi të komunikojmë nesër këtu gjerë e gjatë në mejdanin social” tha zoti Rama.
Për kryeministrin socialist “…derisa protesta nuk është politike dhe prandaj po u mbijeton ende edhe hienave të uritura nga humbja e tepsisë, thelbi këtu është: O bashkë sot edhe për nesër, ose të ndarë për sot dhe për nesër” tha kryeministri Edi Rama. “Shihemi nesër se ka shumë për të folur, por edhe unë kam me siguri shumë për të dëgjuar” përfundoi zoti Rama.

Sicred
WP Facebook Auto Publish Powered By : XYZScripts.com