KRYEFAQJA » LAJME » Rama tërhiqet nga ligji i ricikimit të mbetjeve, ndërsa fton opozitën të bashkëpunojë për Reformën Zgjedhore
Rama tërhiqet nga ligji i ricikimit të mbetjeve, ndërsa fton opozitën të bashkëpunojë për Reformën Zgjedhore

Rama tërhiqet nga ligji i ricikimit të mbetjeve, ndërsa fton opozitën të bashkëpunojë për Reformën Zgjedhore

 

Kryeministri socialist Edi Rama bëri të ditur se qeveria e tij është tërhequr nga projekti për riciklimin e mbetjeve, duke mundësuar futjen në diskutim në seancë plenare të dekretit të ish-presidentit Nishani. Kjo u njoftua gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist, sekretaritit të PS dhe qeverisë të martën paradite. “Do të tërhiqemi nga projekti, si i tillë në këtë fazë pasi besojmë jo që ata që e kundërshtojnë projektin kanë të drejtë, jo se presidenti i mëparshëm që ktheu projektin ka të drejtë, por është e drejta e të gjithë qytetarëve që të jenë të mirëinformuar për këtë projekt” tha zoti Rama.
Kreu dhe kryeministri socialist shfrytëzoi rastin për t’i bëri thirrje Partisë Demokratike, më e madhja e opozitës së djathtë, por edhe opozitës së majtë në parlament, për bashkëpunim në lidhje me Reformën Zgjedhore. “Mirëpresim PD në një dialog të vërtetë e realist lidhur me procesin zgjedhor, por paraprakisht të përcaktojmë kornizën e qartë brenda të cilës do të zhvillohet dialogu. Patjetër në zgjatimin e këtij boshti është e mirëpritur dhe opozita tjetër parlamentare të japë kontributin e vet. Nëse synojmë konsensus, baza e konsensusit është PS dhe PD” tha zoti Rama.
Pas debateve të djeshme në komisionin e ligjeve për shkurtimin e numrit të punonjësve të institucioneve të Vettingut, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri kërkoi në mbledhjen e grupit që qeveria të mos kursehet. Por për kryeministrin Rama, ky debat ishte i kotë. Pavarësisht se qeveria nuk do të kursejë për vettingun, nuk do të lejohen tejkalimet abuzive. “Asnjë tejkalim i kotë dhe abuziv nuk mund të pranohet me arsyen që kjo është një çështje e rëndësisë së veçantë. Debati mirëse të vijë! Ne të enjten do të jemi të gatshëm ti japim të gjitha përgjigjet e nevojshme! Thjesht ja vlen që ti paralajmërojmë kolegët tanë që të përgatiten mirë sepse rrezikojnë të dalin krejtësisht qesharakë nëse do të përdorin argumentat që kanë përdorur deri më sot, përballë argumentave që do të përballen të enjten” tha zoti Rama mjaftë i vendosur.
Gjatë mbledhjes së sotme, u nënshkrua edhe marrëveshja e bashkëpunimit mes grupit parlamentar socialiste, ministrave dhe sekretariatit të Partisë Socialiste, e cila synon rritjen e besimit të qytetarëve dhe llogaridhënien e ministrave tek deputetët dhe baza. Sipas kryeminsitrit, marrëveshja do të shërbejë si pikë referimi për grupin e PS për kabinetin dhe çdo ministër, për sekretariatin e partisë dhe nivelit vendor e qendror për të jetësuar bashkëqeverisjen me njerëzit.

Sicred