KRYEFAQJA » LAJME » Rama reagon pas krijimit të Frontit Opozitar: “ASGJË E RE NGA FRONTI”
Rama reagon pas krijimit të Frontit Opozitar: "ASGJË E RE NGA FRONTI"

Rama reagon pas krijimit të Frontit Opozitar: “ASGJË E RE NGA FRONTI”

Nën titullin “ASGJË E RE NGA FRONTI” kreu i qeverisë Edi Rama ka botuar të mërkurën një status të gjatë në rrjetin social Fejsbuk, si reagim ndaj Fronti Opozitar i cili sot kërkoi dorëheqjen e tij dhe krijimin e një qeverie antimafia. “Asgjë e re nga fronti i vjetër, përveç faktit që sot nuk janë më ca në çadër e ca me çadrën, po janë të gjithë brenda në çadër” shkruan zoti Rama. Sipas tij ata janë “…me po ato maska që as skuqen as zverdhen kur i marrin shqiptarët për budallenj; me po atë paaftësi për të marrë përgjegjësi mbi vete, për katandisjen e institucionit të opozitës në një sharëtore publike; me po atë hipokrizi të skajshme të tërë këtyre viteve, si në pushtet e si në opozitë, ku vazhdojnë me po atë këngë të vjetër, të cilën e dëgjojnë vetëm shurdhët me veshët në rregull!”
Për kreun e maxhorancës “Ata s’duan as shtet serioz, as drejtësi të drejtë, as luftë me krimin e me plagët e trashëguara prej pushtetit të tyre të vjetër. Duan vetëm pushtet për vete, në një shtet si ai që na lanë copa e çika katër vjet më parë, me një drejtësi që komandohet prej pushtetit të tyre dhe një ekonomi që rritet vetëm në oborrin e tyre të pushtetit”.
Kreu socialist dhe kryeministri i vendit shkruan se “Ne jemi ndryshe dhe po luftojmë përditë që të bëjmë shtet, punë, mirëqenie për Shqipërinë që duam”. Ai pranon se socialistët “Nuk jemi aspak të pagabueshëm. Nuk jemi aspak të paprekur nga sëmundjet e një çerekshekulli pa shtet, pa rregulla e norma dhe pa ndëshkueshmëri. Nuk jemi aspak një familje e përsosur, pa probleme e pa drurë të shtrembër në mesin tonë”.
“Por, shkruan ai, ndryshe nga këta të Frontit të Çadrës së Vjetër, ne marrim përgjegjēsi për Shqipërinë dhe mbajmë përgjegjësi për çdo gjë që nuk e bëjmë mirë apo që del në dritën e realitetit si problem i yni”.
Duke ju referuar ngjarjeve të fundit zoti Rama kujton se “në 20 vitet e fundit, ka patur plot raste kur politikanë, deputetë e familjarë të tyre janë përfshirë në akuza publike. Disa herë akuzat kanë dalë të vërteta, disa herë jo. Por, ndryshe nga paraardhësi im, nuk mund të jem unë ai që përcakton fajin apo pafajësinë. Kjo është detyrë e sistemit të drejtësisë dhe është drejtësia që duhet të zbardhë deri në fund të vërtetën” shkruan ai.
Sipas zotit Rama paraardhësi i tij në qeveri “e çoi Shqipërinë buzë greminës vetëm e vetëm për të mbrojtur djalin dhe vajzën e tij. Lideri i sotëm i opozitës përdori një raport mjekësor për të djegur afatet e gjykimit për një akuzë të ngritur nga prokuroria për korrupsion”.
“Por ne nuk jemi të gjithë njësoj. Ne jemi ata që punuam dhe luftuam për Vetingun dhe reformën në drejtësi (Ju kujtohet mirë besoj që të gjithë këta të frontit i kishim kundër e na bënë qepaze në sytē e Amerikës e të Europës!). Ne sot jemi plotësisht të angazhuar që Vetingu të bëhet deri në fund dhe drejtësia e re më në fund të vendoset. Për të gjithë, pa asnjë dallim” shkruan lideri socialist dhe kryeministri Rama.
Ai angazhohet se “do të vijojmë luftën e nisur tanimë kundër rrjeteve kriminale dhe aseteve të perfituara nga krimi” dhe më tej se “do ta fitojmë siç fituam luftën e gjatë, të vështirë, me plot baltë e jo pak probleme brenda vetë Policisë së Shtetit, për çrrënjosjen e kanabisit nga toka jonë e për heqjen e kësaj njolle të vjeter turpi nga fytyra e Shqipërisë që duam”.
“Për aq kohë sa jemi në vijën e parë të luftës, kemi marrë parasysh edhe plagët, por edhe baltën, që sjell kjo betejë aspak e lehtë. Por ama ne nuk dorëzohemi dhe do të vazhdojmë të luftojmë krimin dhe kriminelët deri në fund, për Shqipërinë që duam” përfundon mesazhi i kryeministrit Edi Rama në Fejsbuk.

Sicred