KRYEFAQJA » LAJME » Rama publikon “Platforma e Bashkëqeverisjes ME TY PËR SHQIPËRINË QË DUAM”
Rama publikon "Platforma e Bashkëqeverisjes ME TY PËR SHQIPËRINË QË DUAM"

Rama publikon “Platforma e Bashkëqeverisjes ME TY PËR SHQIPËRINË QË DUAM”

Kryeministri Edi Rama ka publikuar mëngjesin e së hënës në rrjetet sociale draftin e parë të “Platformës së Bashkëqeverisjes ME TY PËR SHQIPËRINË QË DUAM”. Zoti Rama shkruan se mirëpret kritikat e sugjerimet për organizimin e kësaj platforme.
“Shqipëria që duam” do të jete një platformë e hapur komunikimi e ndërveprimi me qytetarët. Ajo do të shërbejë për ti dëgjuar ata në kohë reale për çështje të aktualitetit politik e qeverisës. Nëpërmjet platformës do të diskutohen reforma e masa të rëndësishme, si dhe do të mundësohet ndikimi i qytetarëve mbi politikat qeverisëse në çdo sektor e mbi punën e çdo ministrie apo institucioni të varësisë. Platforma do të shërbejë “për të luftuar së bashku korrupsionin, evidentuar tepsixhinjtë apo parazitët e çdo niveli, duke i goditur me zero tolerancë e nxitur zgjidhjen e ndershme të problemeve komunitare apo vetjake të kujtdo prej jush”.
Sipas platformës “Qeveria e re do të jetë në një koalicion real me njerëzit e zakonshëm që së bashku të rrëzojmë sa të mundim, muret qorre e shurdhe të godinave të shtetit, që nga bulevardi i Tiranës deri në çdo skaj të vendit”.
“Shqipëria që duam është mbi të majtën e mbi të djathtën. Shteti që duam është i qytetarëve, jo i pushtetarëve. Sfidat e Shqipërisë sot, nuk janë sfida socialiste apo sfida demokrate, por janë sfida shqiptare. Të vetëdijshëm për barrën e madhe të përgjegjësisë që na u besua, qeveria e re do të bashkëqeverisë me njerëzit e zakoshëm të këtij vendi në një përpjekje shqiptare, të përbashkët, për ta bërë Shqipërinë më të mirë” shkruhet në faqe të parë të “Platformës së Bashkëqeverisjes ME TY PËR SHQIPËRINË QË DUAM”.