KRYEFAQJA » LAJME » Rama optimist për çeljen e negociatave, ndërsa rikonfirmon Xhafajn në detyrë

Rama optimist për çeljen e negociatave, ndërsa rikonfirmon Xhafajn në detyrë

Kryeministri socialist Edi Rama ka konfirmuar se ministrit i brendshëm Fatmir Xhafaj do të qëndrojë në detyrë pavarësisht ngjarjeve të fundit. “Xhafaj do vazhdojë të jetë në krye të detyrës që e bën me rezultate domethënëse. Ky është sabotim i mirëfilltë, jo vendimtar, por balta bën punën e saj” tha zoti Xhafa me të mbërritur në aeroportin “Nënë Teraza” pas samitit në Sofie.
Kryeministri nuk dha shumë shpjegime lidhur me agjencinë ku ai tha se bëri ekspertizën e audiopërgjimit. “Unë nuk i jam drejtuar asnjë firme, asnjë kompanie, por një agjencie të specializuar. Adresën nuk mund t’ua jap” tha zoti Rama duke shtuar se “Ajo çfarë kam bërë ka qenë urgjente për mua, për të ditur unë të vërtetën”. Ai sulmoi sërisht videopërgjimin duke thënë se “bëhet fjalë për një maskaradë të organizuar me qëllime që janë të qarta për të gjithë dhe e motivuar nga frymëzimi malinj për të bërë çmos për të penguar dhe mundësisht hedhur në erë negociatat për anëtarësim të Shqipërisë”. Sipas tij “Në një kuptim e falenderoj PD që e bëri shumë të lehtë demaskimin e kësaj maskarade me atë shfaqe që dha dje në skenën e teatrit të SHQUP-it”.
Kryeministri i Shqipërisë tha se vazhdonte të mbetej optimist për një rezultat pozitiv lidhur me hapjen e bisedimeve mes Shqipërisë dhe BE. “Edi Rama: Jemi në një fazë ku axhenda jonë nuk përputhet me axhendën e BE. Ka pak qartësi si do të shkohet në rrugën e reformimit të BE-së. Nëse do të shkohet në këtë rrugë” spjegoi zoti Rama. “Vazhdoj të mbetem optimist se në fund të qershorit do kemi rezultat pozitiv. Si do artikulohet dhe çfarë do ketë rrugës drejt këtij artikulimi nuk jua them dot, por përpjekja jonë është fokusuar tek kapërcimi i këtij momenti” tha kryeministri Edi Rama.

Sicred