KRYEFAQJA » LAJME » Rama në OKB:Shqipëria pret që partnerët europianë të hapin dyert për negociatat e anëtarësimit

Rama në OKB:Shqipëria pret që partnerët europianë të hapin dyert për negociatat e anëtarësimit

Kryeministri socialist Edi Rama ka deklaruar se Shqipëria pret që partnerët europianë të hapin dyert për negociatat e anëtarësimit. Deklaratën e tij zoti Rama e bëri gjatë fjalimit në sesionin e 72-të të Asamblesë së përgjithshme të OKB që po mbahet në Nju Jork. “Integrimi prek çdo qelizë të arkitekturës sonë të zhvillimit. Është aftësia jonë për të bërë reformat e nevojshme që do të mundësojnë këtë proces. Reforma e drejtësisë që po zbatojmë është çelësi” tha zoti Rama. “Shpresojmë që BE, pavarësisht krizës aktuale, zgjerimin ta ketë prioritet. Aq sa Shqipëria ka nevojë për BE, aq edhe BE ka nevojë për një Ballkan më të zhvilluar e të qëndrueshëm” përsëriti zoti Rama deklaratën e njohur të tij.

Në konteksin e zhvillimeve rajonale kryeministri shqiptar u ndal tek Kosova, duke theksuar se ndërkombëtarët duhet t’i trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjithë faktorët në rajon. “Prandaj ne besojmë se anëtarësimi i Kosovës në organizmat ndërkombëtarë do t’i shërbejë stabilitetit. Shumë e kanë përdorur këtë foltore për të deklaruar se nga pavarësia e Kosovës do të lindin forca të errëta. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Sot Ballkani perëndimor është shumë i mirë se 7 apo 10 vjet përpara. Pavarësia e Kosovës jo vetëm nuk çliroi asnjë forcë të errët, por solli stabilitet” dha garanci zoti Rama.

Vend të rëndësishëm në fjalën e kryeministrit shqiptar ishte rreziku dhe lufta kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.”Rendi global është sfiduar seriozisht. Asnjë vend, sado i madh e i fuqishëm nuk mund të përballet me këto probleme i vetëm. Këto kriza kërkojnë një aksion të bashkërenduar. Disfata e ISIS në terren nuk do të thotë se ai do të zhduket përfundimisht” tha zoti Rama. Ai kujtoi se Shqipëria ishte një prej vendeve të para që iu bashkua koalicionit ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit, ndërsa konfirmoi gatishmërinë të vazhdojë të kryejë detyrat e saj.

Sicred