KRYEFAQJA » LAJME » Rama në Bruksel: Shqipëria do ta meritojë plotësisht hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE

Rama në Bruksel: Shqipëria do ta meritojë plotësisht hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE

Kryeministri socialist Edi Rama ka shprehur bindjen se Shqipëria do ta meritojë plotësisht hapjen e negociatave për anëtarësim në BE. Deklaratën e tij ai e bëri pas takimeve me përfaqësuesen e lartë për Çështjet e Jashtme, njëkohësisht zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian për Politikat e Sigurisë, Federica Mogherini të hënën pas dite në Bruksel. Zonja Mogherini zhvilloi një takim jozyrtar me kryeministrat e Ballkanit Perëndimor për të diskutuar situatën në rajon dhe në veçanti për mundësitë për përparimin e rajonit drejt integrimit në Bashkimin Evropian gjatë vitit 2018. “Jam i bindur që Shqipëria do ta meritojë plotësisht hapjen e negociatave për anëtarësim” tha zoti Rama pas takimit. Sipas tij “… qoftë në takimin kokë më kokë, qoftë në darkën e kryeministrave ka dalë qartë që ka një vullnet të fortë në anën e institucioneve të Brukselit për ta shtyrë këtë proces të bazuar në ç’ka është arritur sigurisht edhe nga Shqipëria në rastin konkret”. Kryeministri shqiptar tha se “… është shumë e qartë që edhe vendimi në Kuvend i ka shërbyer rritjes së besimit se Reforma në Drejtësi do të shkojë në drejtimin e duhur dhe se ka një vullnet të palëkundur për ta cuar këtë reformë përpara”.
I pyetur lidhur me qëndrimin e opozitës, veçanërisht gjatë proçesit të miratimit të prokurores së përgjithshme të përkohshme, zoti Rama tha se “…. unë kur flas në gjuhë të huaj, flas për Shqipërinë dhe jo për palët. Sot edhe një herë kam folur për Shqipërinë dhe sigurisht që këtu jam munduar që të kapërcej atë moment vështirësie të krijuar nga sjellja e opozitës, sigurisht jo duke fajësuar opozitën, por duke u fokusuar tek Shqipëria tek shqipëtarët. Negociatat nuk hapen për një parti, hapen për gjithë shqiptarët pa dallim” tha zoti Rama.

Sicred