KRYEFAQJA » LAJME » Rama: Misioni “Rini-talent-mundësi-dinjitet” pikë referimi në Forcat e Armatosura
Rama: Misioni “Rini-talent-mundësi-dinjitet” pikë referimi në Forcat e Armatosura

Rama: Misioni “Rini-talent-mundësi-dinjitet” pikë referimi në Forcat e Armatosura

Kryeministri Edi Rama lajmëroi misionin e posaçëm “Rini-talent-mundësi-dinjitet” i cili do të mundësojë sigurimin e një formimi etik dhe ushtarak për të rinjtë shqiptarë. Duke folur në takimin me veteranë të Luftës Nacional Çlirimtare dhe ushtarakë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, në nderim të 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit, zoti Rama tha se Forcat e Armatosura do të jenë një nga pikat e referimit të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut. Sipas tij ato do të jenë “një bazë ku rinia mund të gjejë hapësira për integrimin e vet social, duke u bërë pjesë e programeve, të cilat do t’iu japin mundësi të rinjve që të njihen me vlera, të njihen me shembuj, të njihen me rrugë ku përpjekja e përbashkët dhe solidariteti mund të stimulojnë çdo individ për të mos ndenjur këmbëkryq dhe as duarkryq në pritje të të ardhmes që nuk vjen, nëse ne nuk e kërkojmë”.
Misioni “Rini-talent-mundësi-dinjitet” do të mundësojë sigurimin e një formimi etik dhe ushtarak, në formën e një shërbimi të kontraktualizuar në adresë të të rinjve pa orientim të qartë arsimor apo profesional, me synimin;
Së pari, një formim mbi simbolet kombëtare, mbi ndjenjën e përkatësisë europiane, mbi historinë dhe sistemin e vlerave themeltare të Republikës së Shqipërisë;
Së dyti, një formim mbi parimet eurointegruese dhe objektivat e Aleancës së Atlantikut të Veriut, si dhe respektin ndaj simboleve dhe vlerave të tyre universale;
Së treti, formimin me teknika ushtarake dhe civile mbi misionet paqeruajtëse, Emergjencat Civile dhe luftën kundër terrorizimit;
Së katërti, deradikalizimin dhe formimin në teknikat operacionale të luftës kundër ekstremizmit të dhunshëm;
Së pesti, formimi në programet dixhitale dhe sigurinë kibernetike;
Së gjashti, formim në gjuhët e huaja kryesore.
Zoti Rama tha se Forcat e Armatosura do të bëhen për të gjithë Vitin Mbarëkombëtar të Skënderbeut, në njëfarë mënyre, kumbarë dhe dorëzanë të të shumë të rinjve, duke i certifikuar dhe duke u dhënë ndihmesë në orientimin profesional dhe në karrierë, qoftë brenda Forcave të Armatosura, qoftë në jetën civile, publike, apo private pas shërbimit. “Uroj vërtet që ky të jetë një proces ku do të përfshihen shumë të rinj e të reja dhe ku edhe ne të gjithë do mësojmë, për ta kthyer në një program të përvitshëm, duke iu dhënë të rinjve brenda Forcave të Armatosura, por dhe jashtë tyre, mundësinë që tek bashkëjetesa për një kohë të caktuar me Forcat e Armatosura të zbulojmë pikërisht vlera dhe njerëz pa emër, pa lavdi, pa prestigj, por që në punën e tyre të përditshme meritojnë të quhen pasardhës të denjë të heronjve, dëshmorëve dhe veteranëve e invalidëve të Luftës Nacional Çlirimtare” tha kryeministri Edi Rama.

Sicred