KRYEFAQJA » LAJME » Rama-Meta shkëmbejnë replika në distancë
PS dhe LSI përplasen për afera votash

Rama-Meta shkëmbejnë replika në distancë

Fushata për zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit e dy partive kryesore të së majtës po shënon shkëmbim replikash në distance mes dy figurave kryesore, kryeministrit dhe kreut të PS Edi Rama dhe kreut të parlamentit dhe presidentit të zgjedhur Ilir Meta.
Ky i fundit ka qënë të shtunën pas dite në Gjirokastër. Duke kujtuar aksionin e bujshëm antikanabis në Lazarat, zoti Meta tha se “Ai aksion nuk u bë për të shkulur drogën nga Lazarati dhe Shqipëria, por për të pastruar Lazaratin dhe për të mbushur gjithë Shqipërinë me drogë”. Ish kreu i LSI ka shkuar edhe më tej kur ka deklaruar se “Fuqia e rremë dhe mashtruese e Rilindjes qëndron vetëm tek arroganca që vjen nga pushteti dhe përbuzja e njerëzve të thjeshtë”.
Nga ana e tij kryeministri socialist Edi Rama ka shprehur keqardhjen për tonet në rritje të aleatit të deritanishëm. Nga Lezha zoti Rama është shprehur se “Më vjen vërtet shumë keq, shumë zor, ndihem shumë i sekëlldisur kur shikoj gjëra që nuk do të doja ti shihnim, kur dëgjoj gjëra që shqiptarët nuk do të duhej ti dëgjonin më, çirrje, britma, ulërima, kërcënime. Më vjen jashtëzakonisht keq por Shqipëria që duam nuk është Shqipëria e ulërima, e kërcënimeve, nuk është Shqipëria e partive të tepsisë së pushtetit”.
Një javë para votimeve, polemikat pritet të vazhdojnë edhe më tej, por gjithçka shihet vetëm në konteksin e fushatës zgjedhore, që për shumë analistë është më e qeta që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri.

Sicred