KRYEFAQJA » LAJME » Rama legalizon objektet e kultit
Ulen tarifat e energjisë për objektet e kultit

Rama legalizon objektet e kultit

Objektet e kultit në vend do të trajtohen me tarifa të energjisë elektrike si abonentët familjarë dhe jo me tarifa biznesi si deri më sot. Kjo nismë e qeverisë për të lehtësuar objektet e kultit në veprimtarinë e tyre, u njoftua nga Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës që bëri në kishën e Shën Athanasit në Selenicë. Kryeministri Rama u prit nga atë Spiro Bulika dhe shumë besimtarë.

“Ne do bëjmë një ulje të tarifës së energjisë për të gjitha objektet e kultit, sepse në fund të fundit janë familje besimtarësh dhe do paguajnë si familje. Kjo besoj do lehtësojë shumë nga ana financiare gjithë institucionet e kultit,” – shpjegoi Kryeministri thelbin e nismës.

Mbi njëmijë objekte kulti edhe pas mbi dy dekadash rindërtimi mbeten të palegalizuara. Kisha Shën Athanasi në Selenicë është një ndër to. Në vitin ’67-ë, ajo pësoi fatin e të gjithë objekteve të tjera të kultit në vend. Por absurdi vazhdoi edhe pas viteve ’90-të, kur kisha u rindërtua dhe restaurua, por gjatë gjithë kësaj periudhe pa mundur të legalizohej. Kryeministri Rama i dorëzoi atë Spiros, lejen e legalizimit të kishës.

“Erdhëm t’i japim lejen e legalizimit edhe kishës suaj. Kemi mbi 1 mijë objekte kulti që janë pa letra. Habitem se mund të kishin bërë edhe ndonjë legalizim kishe a xhamie, që të paktën të lanin shpirtin për nja një javë, se iu bë katran nga mëkatet dhe nga ryshfetet. Por nuk i bënë ato,” – u shpreh Kryeministri.

“Sot u vu në vend një padrejtësi shumëvjeçare e regjimit të kaluar. Sot kemi fatin që ta bëjmë kishën me letra. Ju faleminderit! Kjo kishë është ndërtuar në 1812-ën, por në 67-ën u shkatërrua pjesërisht. Ka qenë me afreske, me ikona murale, nga më të bukurat në Shqipëri dhe u shkatërrua. Pas 90-s, me ndihmën e komunitetit vllah të Metsovës filloi restaurimi dhe u bë kjo që është,” – u shpreh atë Spiro.

Si kudo, edhe në Selenicë legalizimi i shtëpive në 8 vitet e shkuara ka qenë thuajse i papërfillshëm. Tashmë, ky proces ka përfunduar plotësisht në Selenicë. “Nga 4 legalizime që ishin bërë në 8 e më shumë vite deri në 2013-ën, ne i përfunduam dhe 435 shtëpi janë tani pronë e patundshme e banorëve. Më në fund, gjithë gjaku, djersa, mundi i të gjithë atyre që në emigracion kanë punuar për të ndërtuar shtëpi, është bërë një kapital në shërbim të familjeve.” ​

Sicred