KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama, lajme të mira për shtresat në nevojë
Shqipëri - Kosovë drejt marrëveshjes për pensionet

Rama, lajme të mira për shtresat në nevojë

Në prag të festave të fundvitit, kryeministri shqiptar Edi Rama ka zgjedhur të japi një lajm të mirë për pensionistët, familjet me ndihmë ekonomike dhe personat me aftësi të kufizuar. Në komunikimin e tij javor në Fejsbuk, zoti Rama njoftoi se qeveria ka vendosur të zerojë kamatëvonesat për faturat e papaguara te energjisë elektrike për këto kategori. “Për 66539 konsumatorë pensionistë, ata me ndihmë ekonomike dhe ata me status tjetër vështirësie, do të zerohen të gjitha kamatëvonesat kundrejt një pagese simbolike vetëm 20 lek. 59461 konsumatorë të tjerë që nuk kanë ndonjë status të vështirësie, por që kanë paguar këstet 20 dhe 25 mijë lek, kamatëvonesat do të reduktohen në 80 për qind” tha zoti Rama. Sipas përllogaritjeve, nga falja dhe reduktimi i kamatëvonesave përfitojnë në total rreth 126 mijë konsumatorë.
Zoti Rama tha me këtë rast se vendimi është pjesë e paketës së solidaritetit, falë menaxhimit më të mirë të OSHEE-së pas një reforme që ai pranoi se ishte e dhimbshme. Kryeministri shtoi se paketa e solidaritetit për vitin 2016, është më e madhja në 25 vitet e fundit, por është pak për të ardhmen ku aspiron vendi. “Kjo paketë shembullore solidariteti, është shumë për situatën dhe mundësitë e qeverisë së Shqipërisë, por është pak për të ardhmen që ne kemi për detyrë ta afrojmë” tha kryeministri Edi Rama. Pa kohë më parë zoti Rama njoftoi edhe rritjen e pritshme të pensioneve dhe pagave pas 1 marsit të vitit të ardhshëm.

Sicred