KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama: Kush mashtron me pagat do të goditet fort!
Rama: Kush mashtron me pagat do të goditet fort!

Rama: Kush mashtron me pagat do të goditet fort!

Bizneset e mëdha dhe politikat e tyre të dyshimta me pagat e punonjësve, janë vënë në fokusin e komunikimit javor të kryeministrit Edi Rama në “Fejsbuk”. Zoti Rama ka paralajmëruar se bizneset që sipas tij mashtrojnë me pagat e punëtorëve do të goditen fort. “Janë identifikuar së fundimi 40 përqind e të punësuarve në biznese të mëdha ose 42 mijë të punësuar të regjistruar të deklaruar me pagë minimale deri në 30 mijë lekë. Ndërkohë vetëm 7 përqind e tyre ose rreth 8 mijë të punësuar deklarohen me pagën mbi 130 mijë lekë”. “Të punësuar si ekonomistë, inxhinierë, juristë, llogaritarë etj, që paguhen në fakt jo aq, deklarohen nga bizneset si të punësuar me një pagë nën 30 mijë lekë në muaj” tha kryeministri. “Kjo është jo vetëm e pajustifikueshme në çdo pikëpamje, por edhe e dënueshme ligjërisht që në këtë mënyrë shkelin haptaz të drejtat e punonjësve” shprehu pakënaqësinë e tij zoti Rama. Sipas kryeministrit një gjë e tillë cënon rëndë të ardhmen e punonjësve duke u ngrënë padrejtësisht pensionin, shmangin detyrime ligjore ndaj shoqërisë dhe arkës së shtetit duke u bërë bisht pagesës për tatimin mbi fitimin për pensionin e për shëndetin e punonjësve.
Zoti Rama përsëriti se në janar tradita çerek shekullore e biznesit të madh që punon me dy bilance do të marrë një goditje të fortë. “Qeveria do të njohë vetëm bilancet e njohura prej kompanive në banka dhe bilancet e tatimeve duhet të jenë të përputhura me ato të bankave për çdo kompani” tha ai. Kryeministri u bëri thirrje bizneseve të futen menjëherë në një process të shpejtë vetërregullimi, pasi forca e ligjit do të ushtrohet më fortë se asnjëherë më parë mbi çdo biznes që do të gjendet në kushtet e mashtrimit me pagesat e me detyrimet për punonjësit e vet. “Kështu nuk mund të vazhdohet më dhe ne jemi të vendosur që kështu të mos vazhdohet më” përfundoi komunikimin e tij javor kryeministri Rama.

Sicred