KRYEFAQJA » LAJME » Rama, konferenca e fundit për shtyp

Rama, konferenca e fundit për shtyp

1 miliard Euro do të injektohen në ekonominë e vendit gjatë vitit 2017. Kryeministri Edi Rama, nga konferenca e fundit për shtyp për këtë vit, e cilësoi si fondin më të madh të akorduar ndonjëherë në ekonominë shqiptare,me fokus të posaçëm në infrastrukturën rrugore, atë shëndetësore dhe shkollore. “Programi i madh i investimeve publike prej 1 miliard eurosh, që do të çelet vitin e ardhshem duke synuar një injektim financiar, në ekonomi, të një pëemase që nuk ka ndodhur kurrë në këto 25 vjet” tha zoti Rama.

Rama duke vlerësuar treguesit ekonomikë për 2016-ën, tha së vitin e ardhshëm synimi do të jetë ruajtja e trendit rritës të ekonomisë, ulja e borxhit, por edhe rritja e investimeve të huaja. Duke iu përgjigjur interesit të RTSH-së per ligjin e pronës, kryeministri Rama tha: “Ligji i pronave u godit në Gjykatën Kushtetuese në interesa tërësisht të errëta dhe Gjykata Kushtetuese dha një vendim, qe nuk mori në konsideratë opinionin e komisionit. Nuk e rrëzoi ligjin, nuk preku një pjesë të konsiderueshme, por preku një pjesë që cënon frymën dhe funksionimin e duhur të ligjit, dhe ne presim zbardhjen e vendimit. Fatmirësisht nuk bëri të njëjtën gjë me vettingun, dhe kjo është një gjë shumë pozitive.”

Edhe në komunikimin e fundit me gazetarët, kryeministri Rama, rikonfrimoi aspektin strategjik të koalicionit me LSI. Për të, ky grupim i qëndrës së majtë, është i vetmi që mund të realizojë refoma të mëdha. Ndërsa mundësinë e rikandidimit të Nishanit në postin e presidentit për një mandat të dytë, ai u shpreh qartesisht se Presidenti i ardhshëm do të jetë nga koalicioni PS-LSI. “ Partneriteti PS-LSI nuk është partneriteti im me Ilir Metën. Ne jemi drejtues të partive të këtij partneriteti që i japim formën e koalicionit. Por ky partneritet strategjik është përtej nesh. Është një domosdoshmëri shoqërore për vendin për të pasur dy parti dhe një forcë të madhe progresive të qëndrës se majtë, që bën reformat që ka bërë” tha kryeministri Rama. Ndonëse përshëndeti zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, ai ftoi institucionet të bejnë detyrën, duke u distancuar tek sulmet politike ndaj individëve, të cilat e cilësoi si kriminale.

Duke u ndalur tek politika e jashtme dhe veçanërisht tek roli i shqiptarëve në rajon, zoti Rama u shpreh se tashmë pozitat e Shqiptarëve në Maqedoni po forcohen. Ai përjashtoi edhe mundësinë e rikthimit të regjimit të vizave për shqiptarët.

Sicred