KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama: Kemi bërë përparime, por jam sërish i pakënaqur!
Rama: Kemi bërë përparime, por jam sërish i pakënaqur!

Rama: Kemi bërë përparime, por jam sërish i pakënaqur!

Buxheti i viti të ardhshëm dhe paketa fiskale që e shoqëron, ka qenë tema që kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të komentojë në komunikimin e tij javor të dielën në Fejsbuk. Sipas tij “Buxheti i miratuar këtë javë është një arritje shumë e rëndësishme, pas përpjekjesh të mëdha dhe mundimesh jo të vogla”. Zoti Rama e konsideroi një ndër treguesit më kuptimplotë të kësaj arritje spostimin në një vit të 100 milionë dollarëve nga arka e shtetit në arkën e familjeve të punonjësve të këtij shteti dhe të pensionisteve. Për kryeministrin kjo është “Rritja më e lartë e rrogave dhe pensioneve në një buxhet të vetëm përgjatë harkut të 25 vjetëve”. Ai kujtoi se në 8 vjet të qeverisjes së vjetër u spostuan nga arka e shtetit në arkën e familjeve përmes rritjes së rrogave dhe pensioneve vetëm 124 milionë dollarë.
Duke ju referuar tre buxheteve të mëparshme që kur qeveria e tij erdhi në pushtet në shtator të viti 2013, zoti Rama tha se ata ishin buxhete që mundësuan shmangien e greminës financiare të 2013, konsolidimin fiskal dhe qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike. Kryeministri socialist përmendi dhe heqjen e taksës së sheshtë dhe vendosjen e asaj progresive, duke këmbëngulur se 97 ë qind e taksapaguesve shqiptarë kanë qënë përfituesit kryesorë.
Zoti Rama në komunikimin javor premtoi thellimin më tej të reformës në shëndetësi, nga ku do të përfitojnë 600 mijë shqiptarë të pasiguruar deri më sot.
Por pavarësisht këtij bilanci kryeministri Edi Rama, tha se “kur ju flas për arritje dhe rezultate nuk jam aspak njeriu i kënaqur me veten apo me qeverinë që drejtoj!…Aspak, madje përkundrazi, jam unë njeriu më i pakënaqur ndër të gjithë ju dhe ju lutem ta besoni këtë” nënvizoi ai. “Unë e di më mirë se të gjithë sesa shumë më tepër duhet bërë që Shqipëria dhe ju të gjithë të ndiheni të çliruar nga pesha e të shkuarës në çdo drejtim në çdo hap që hidhni” ju drejtua zoti Rama bashkëbiseduesve të tij. Ai këmbënguli se arritjet dhe rezultatet “duhet ti ndajmë me njëri-tjetrin me fakte dhe shifra reale, sepse na ndihmon të kuptojmë edhe vlerën e përpjekjeve që po bëjmë, edhe drejtësinë e rrugës ku po ecim, për Shqipërinë e gjeneratës tjetër”. Kryeministri tha se shqipëtarët nuk duhet të humbin siç humbën 20 vitet që shkuan, “për të mos lënë që dhe një gjeneratë tjetër të digjet siç u dogj ajo që lindi pas rënies së murit të diktaturës”.