KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama: Investimet e huaja, prioriteti strategjik i mandatit të dytë

Rama: Investimet e huaja, prioriteti strategjik i mandatit të dytë

Kryeministri Edi Rama, ftoi sipërmarrësit vendas dhe të huaj të shfrytëzojnë potencialin e Shqipërisë dhe lehtësirat fiskale, për të rritur investimet. Nga një aktivitet i dhomave të tregëtisë, kreu i ekzekutivit, rikonfirmoi angazhimin e qeverisë për rritjen ekonomike dhe tha se mbi 80 mijë biznese të reja po ushtrojnë aktivitetin në Shqipëri. “Shqipëria është një vend i sigurtë për të bërë biznes. Investimet e huaja direkte janë një domosdoshmëri jetike dhe sot përbëjnë prioritetin e prioriteteve. Jemi në kushtet kur mund të zhvillojmë një model të ri ekonomik jo më i bazuar tek bumi i ndërtimeve dhe tek dërgesat e emigrantëve, por të bazuar tek investimet prodhuese që krijojnë punësim real” tha kryeministri shqiptar.
Ndërsa për ministrin e ekonomisë dhe financave Arben Ahmetaj, synimi është krijimi i një tregu të përbashkët rajonal, i cili do të konsolidojë rritjen ekonomike dhe bashkëpunimin financiar mes vendeve. “Bëhet një treg me 26 milionë konsumatorë, prandaj qasja jonë e vetme dhe e patjetërsueshme dhe e padebatueshme është hapja e tregut, krijimi i një tregu rajonal ku të gjitha barierat tarifore dhe jo tarifore të shkojnë drejt uljes dhe më tej zhdukjes” tha zoti Ahmetaj.
Ministri i jashtëm Ditmir Bushati nga ana e tij bëri thirrje për një diplomaci ekonomike. “Ajo nënkupton promovimin e produkteve dhe shërbimeve shqiptare në botë duke influencuar politikat e investimeve tregëtare e të shteteve partnere e kompanive të huaja” tha zoti Bushati.
Kryeministri Rama ndërsa ripërsëriti ftesën për investitorët e huaj për ta parë Shqipërinë si tregun potencial në rajon, vijoi polemikat me median shqiptare. “Sugjeroj që kush ka ardhur sot ti gëzohet këtij vendi kaq të bekuar dhe të bukur, me këshillën miqësore që as mos takoni gazetarë, as mos lexoni gazeta sepse ju pengojnë në gjithë aparatin tretës. Ju uroj mirëseardhjen dhe ju siguroj se kush investon sot në Shqipëri nuk do të pendohet kurrë nesër” tha ai.
Qeveria shqiptare synon që të shfrytëzojë të gjitha kapacitete e vendit si dhe të ofrojë lehtësira fiskale për të rritur praninë e investitorëve të huaj, por njëkohësisht edhe duke krijuar një treg të përbashkët ekonomik me vendet e rajonit të Ballkanit.

Sicred