KRYEFAQJA » LAJME » Rama : Histeria e politikës nuk do të stepi qeverinë
Rama : Histeria e politikës nuk do të stepi qeverinë

Rama : Histeria e politikës nuk do të stepi qeverinë

Kryeministri socialist Edi Rama ka deklaruar se ajo që ai e ka cilësuar si “vjeshta histerike e politikës”, nuk do të stepë qeverinë e tij e cila mbetet e vendosur për tu shkuar deri në fund përgjegjësive të marra nga vota e qytetarëve me 25 qershor. Duke folur në komunkimin e tij javor nga Dibra, ku qëndroi në fundjavë bashkë me kabinetin e tij, zoti Rama shprehur keqardhjen për sipas tij “kazanin e politikës të ziejë në vorbullën e llafeve pa mbarim dhe gënjeshtrave pa asnjë kursim”. “Kjo vjeshtë histerike e politikës dhe as politika histerike tradicionale e kacafytjes për karriget e humbura dhe jo për idetë e pasura, nuk mund të na pengojë dhe nuk do të na pengojë të bëjmë detyrën tonë, të mbajmë të plotë përgjegjësinë” tha më tej ai.
Kryeministri socialist u ndal në projektet e nisura nga qeveria në qarkun e Dibrës ku veçoi fillimin e “Rrugës së Arbrit”, një nga premtimet më të përsëritura dhe më të pambajtura të historisë së politikës shqiptare. “Kemi një program masiv investimesh që do të fillojë me Rrugën e Arbrit dhe do të vazhdojë për ti kthyer rrugët kombëtare në rrugë europiane, siguri dhe lëvizshmëri të garantuar, me standarte të certifikuara dhe natyrisht me hijeshi ditën dhe ndriçim si duhet natën” tha ai. “Merreni me mend, 27 vjet në gjithë Shqipërinë ndriçohet vetëm aksi Rinas-Tiranë, sa shumë akoma kemi për të bërë” shprehu keqardhjen, por edhe synimin e tij kryeministri Rama.
Ai paraqiti edhe një program sipas tij masiv ndërhyrjesh për ta çuar rilindjen urbane përtej qendrave të qyteteve që tanimë janë pothuajse të gjitha të rindërtuara, me përparësi zonat rurale ku ka nisur pak nga pak por mund të zhvillohet shumë më tepër turizmi. “Duam të nxisim jo vetëm turizmin në bregdet, por edhe atë malor prandaj duam të ndërhyjmë për të çuar rrugët e rilindjes urbane në Theth dhe Kurvelesh, në Lurë dhe Frashër e me rradhë…” tha zoti Rama.
Ai tha se gjatë dy ditëve të punës në komunitetin në qarkun e Dibrës “jemi ulur së bashku me kryebashkiakët e bashkive të qarkut pa dallime partiake dhe kemi folur për jetën reale, infrastrukturën e rrugëve dhe reformën jetike të ujit, për mbështetjen për bujqësinë dhe shërbimet shëndetësore, arsimore e sociale që duhen përmirësuar patjetër”.

Sicred