KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama bizneseve: Fund praktikës së dy bilanceve

Rama bizneseve: Fund praktikës së dy bilanceve

Kryeministri Edi Rama ka hedhur poshtë akuzat e opozitës e cila e konsideron pastrim parash skemën e financimit “1 miliard për rindertim” që do të ndërmarrë qeveria shqiptare. Duke folur në një takim të shoqatave të bankave, kreu i qeverisë, nuk kurseu as ironinë për akuzat e kundërshtarit politik Lulzim Basha. “Dëgjova që projektbuxheti i viti 2018 duhet të administrohet nga struktura ligjzbatuese si FBI, DEA, a ku di unë se çfarë, si një projekt, i cili është dokument që dëshmon se buxheti  dhe përmes sistemit bankar, programi ynë “1 Miliardë për rindërtim” është tanimë  në duart e krimit. Tani, ju të gjithë këtu jeni “në duart e krimit” dhe jo vetëm ju që jeni pa kufje, por edhe ata që janë me kufje.  Madje, ata që kanë kufje janë “më të dyshuarit”. Kështu që është të qeshësh, por është dhe të qash, sepse këto janë sinjalet më dëmtore për konsumatorin dhe për opinionin, në tërësi” tha zoti Rama. “Unë dua t’ju them të gjithë atyre që janë të detyruar të dëgjojnë të tilla shpërthime të imagjinatës, të qeshin dhe jo të qajnë. Të qeshin dhe të shkojnë përpara, sepse realiteti ekonomik, i cili  pasqyrohet  më së miri në çehren e sistemit bankar, është optimist” tha kryeministri.
Madje zoti Rama e vlerësoi sistemin bankar si më të qëndrueshmin. Ai tha se zbatimi i reformës në drejtësi, do të çojë në vend arbitraritetin që ka qenë prezent, për shkak të vendimeve gjyqësore. “Procesi i Vetting-ut ka nisur, duke çelur një rrugë shumë më tepër optimiste përsa i përket raportit të bankave me sistemin gjyqësor. Një raport shumë problematik në të shkuarën e deri më sot, për shkak të shumë shfaqjeve brutale të arbitraritetit në raport me ligjin dhe në dëm të sistemit, për të favorizuar subjekte për të cilat bankat ligjërisht kanë kërkuar marrjen e masave përkatëse për shkelje flagrante të raportit me to” tha zoti Rama.
Kryeministri lajmëroi se që prej 1 janarit 2018 do të marrin fund, abuzimet e kompanive të mëdha, që deklarojnë paga të ulta për rreth 42 përqind të punonjësve të tyre, duke mënjanuar praktikën e dy bilanceve.
“Historia e dy bilanceve, që kur vinte banka, kompanitë tregojnë sa shumë kanë dhe kur vinte shteti, kompanitë regojnë sa keq janë, do marrë fund nga janari i vitit 2018” tha zoti Rama. “Duhet ta kenë shumë të qartë, tatimet e Republikës së Shqipërisë nuk do të njohin asnjë bilanc tjetër, përveç bilancit që këto kompani iu dorëzojnë bankave, për të treguar sa shumë kanë dhe mbi atë bazë do të tregojnë detyrimet e tyre për arkën e buxhetit të shtetit” këmbënguli kryeministri. “Kemi 800 kompanitë më të mëdha të vendit që, imagjinojeni,  deklarojnë se 42 përqind të punonjësve të tyre paguhen nën 300 mijë lekë të vjetra, deri edhe inxhinierë. Pra, kemi të bëjmë me një shmangie të patolerueshme të detyrimeve ndaj punonjësve, duke ju dhënë gjysmën e rrogës mbi dorë dhe gjysmën e rrogës nën dorë, duke ju kompromentuar seriozisht të ardhmen dhe pensionin e natyrisht, një dëm të drejtpërdrejtë për arkën e shtetit dhe padyshim, për shoqërinë si e tërë” tha zoti Rama.
Kryeministri duke vlerësuar punën e sistemit bankar dhe Bankës Qëndrore, e cilësoi si sistemin më të shëndetshëm sa i takon transparencës së burimeve të fitimit.

Sicred