KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Rama ambasadorëve: Loboni për të tërhequr investime të huaja

Rama ambasadorëve: Loboni për të tërhequr investime të huaja

Kryeministri Edi Rama, ftoi të gjithë ambasadorët e shqipërisë që shërbejnë në vende të ndryshme të botës, që të promovohet dhe kontakti i parë me investorët e huaj. Gjatë takimit me fokus “Ridimensionimi i diplomacisë ekonomike; sfida dhe mundësi”, ai kërkoi koordinimin e punës së çdo ambasade, për të promovuar sektorë me potenciale të mëdha konkuruese si turizmi, energjia, bujqësia. “Ne kemi sot, një bazë të rëndësishme për të mundur që të komunikojmë me fakte në dorë me të gjithë ata që janë të interesuar, apo për të nxitur më tutje interesin e të tjerëve lidhur me potencialet e me oportunitetet që ofron vendi ynë. E kemi vënë re dhe e konstatojmë këtë thuajse në mënyrë të përditshme që ka një rritje të ndjeshme të interesit për të investuar në vendin tonë, posaçërisht në turizëm, pa diskutim edhe në sektorin e energjisë apo të naftës, çka ka ndodhur dhe më parë për hir të vërtetës. Besoj se duhet të fokusohemi fort tek turizmi, tek manifaktura, tek zhvillimi rural e në radhë të parë, këtu kam parasysh zhvillimin e industrive përpunuese ku kemi ende një boshllëk shumë të madh. Duke u nisur nga shifrat shumë inkurajuese të eksporteve të prodhimeve bujqësore e duke e parë interesin real të tregjeve europiane për këto eksporte, besojmë se është plotësisht e arsyeshme që edhe në këtë aspekt të kërkojmë të përfshijmë aktorë që vijnë nga tregje të tjera, për të shfrytëzuar potencialin e vendit tonë” theksoi kryeministri Edi Rama.  Kreu i qeverisë Rama u shpreh se një bashkëveprim më i madh në këtë drejtim, gjatë mandatit të dytë, do ti kushtohet diaspores shqiptare. “Në aspektin e interesit të madh kombëtar dhe interesit të madh të shoqërisë sonë sot, diaspora është një burim i jashtëzakonshëm e i pashfrytëzuar, qoftë përsa i përket përfshirjes në jetën ekonomike të vendit, qoftë sa i përket kapaciteteve të jashtëzakonshme që ajo ka, akademike, intelektuale në të gjitha nivelet dhe thuajse në çdo vend ku ajo është e pranishme. Të dyja ne i shikojmë të pandara nga njëra-tjetra, sepse në fund të ditës kemi mësuar që diferencën midis vendeve që zhvillohen, apo janë të zhvilluara dhe vendeve që përpiqen të zhvillohen nuk e bën ajo që vendet kanë në kuptimin e pasurive natyrore, por ajo që vendet dinë në kuptimin e kapaciteteve që kanë në dispozicion për të zhvilluar vetveten e për të arritur objektiva që shpeshherë mund të duken dhe krejt të paarritshëm” . Rama kërkoi që shërbimi i jashtëm të kontribuoje në zhvillimin ekonomik të vendit dhe të anashkalojnë burokracitë, që largojnë rrugët e komunikimit me investitorët.

Sicred