KRYEFAQJA » LAJME » Rajoni » Këshillit të Sigurimit të OKB-së diskuton Kosovën

Këshillit të Sigurimit të OKB-së diskuton Kosovën

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku është paraqitur këtë të hënë raporti tremujor i sekretarit të përgjithshëm për punën e UNMIK, ministri i jashtëm serb Ivica Daçiç ka akuzuar sërish Prishtinën për moszbatim të marrëveshjeve të Brukselit, ndërsa aksionin e policisë kosovare në veri kundër krimit të organizuar, ai e ka quajtur akt të papranueshëm që synonte frikësimin e serbëve në Kosovë.
Sipas tij, asnjë forcë e sigurisë nuk mund të shkojnë në veri pa e njoftuar KFOR-in, gjë e cila nuk është plotësuar në këtë rast. Daçiç përmendi edhe ndalimin e dy pjesëtarëve të UNMIK-ut, duke theksuar se njëri prej tyre, shtetas rus, është rrahur, arrestuar dhe shpallur person non-grata.

“Prishtina po planifikon një sulm në veri,” tha Daçiç, duke kërkuar që “kjo të parandalohet për të mos u shkaktuar një gjakderdhje e re”. Duke folur rreth dialogut, ai tha se një gjë e tillë është pamundur për faj të Prishtinës, e cila ka krijuar pengesa përmes vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe.

Gjatë fjalës së saj në seancën e Këshillit, ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, ka kërkuar edhe një herë përfundimin e mandatit të UNMIK-ut, duke thënë se nuk ka asnjë arsye për vazhdimin e punës së misionit të OKB-së pasi Kosova tashmë është shtet i pavarur dhe i kryen të gjitha detyrat e veta. Përsa i përket operacionit në veri, Çitkau ka thënë se policia ka ndërhyrë për të luftuar krimin dhe korrupsionin dhe se të gjitha autoritetet përkatëse janë njoftuar për të.

“Jemi tmerruar nga deklaratat që kanë ardhur nga Beogradi për këtë operacion të suksesshëm, qëllimi i vetëm i të cilit ka qenë siguria e popullit të Kosovës që të mbrohen nga bandat kriminale”, tha Citaku.

Ambasadorja e Kosovës gjithashtu ka kërkuar që të hetohet punonjësi rus i UNMIK, i cili u ndalua gjatë operacionit pasi pengoi punën e policisë së Kosovës. Ambasadorja Çikatu gjithashtu akuzoi Beogradin për retorikën e luftënxitjes dhe frikësimin e popullit, ndërsa shprehu gatishmërinë e Kosovës për vazhdimin e dialogut, duke thënë se është Serbia ajo e cila nuk dëshiron vazhdimin e këtij procesi. Ndërkohë zëvendësambasadori i Gjermanisë në OKB theksoi se duhet të rishikohet misioni i UNMIK dhe kërkoi që Kosova të heqë tarifën ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. Heqjen e taksës e ka kërkuar edhe përfaqësuesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili tha se ajo është një pengesë për vijimin e dialogut mes dy vendeve.

Sicred