KRYEFAQJA » LAJME » Qeveria vendos: Garda do të ruajë organet e vetingut
Gjendet i vrarë shoferi i ministrit të brendshëm

Qeveria vendos: Garda do të ruajë organet e vetingut

Garda e Republikës do të marrë në mbrojtje krerët më të rëndësishëm të organeve të vetingut. Ky është vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave i cili detyron Gardën e Republikës të ruajë anëtarët e komisioneve të vetingut dhe ndërtesën ku do ushtrohet veprimtaria për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në ish-godinën e Lidhjes së Shkrimtarëve. Gjithashtu, punonjës të Gardës do kenë në ruajte edhe kreun e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Në vendim bëhet e ditur se garda do të ruajë dhe mbrojë, me truprojë dhe shofer Kryetarin dhe komisionerët e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Kryetarin dhe gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisionerët Publikë, Vëzhguesit ndërkombëtarë të emëruar nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe të ruajë mjediset e punës, ku ushtrojnë veprimtarinë këto komisione.