KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Qeveria tërhiqet nga bashkimi i tatimeve me doganat
Qeveria tërhiqet nga bashkimi i tatimeve me doganat

Qeveria tërhiqet nga bashkimi i tatimeve me doganat

Qeveria është tërhequr përfundimisht nga projekti ambicioz i bashkimit të administratës tatimore dhe asaj doganore në një të vetme. Për RTSH burime të besueshme nga Ministria e Financave pranuan se nisma për ti bashkuar këto dy drejtori të rëndësishme krijon risk në mbledhjen e të ardhurave, si dhe shkrirja e tyre në një është gati e pamunduar për shkak të problematikave që këto dy drejtori mbartin edhe të ndara.
Një tjetër arsye për këtë tërheqje sipas financave është rasti i Kosovës. Autoritetet atje i bashkuan për një vit tatimet dhe doganat dhe dështuan. Nga ana tjetër edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ishte një nga kundërshtarët më të fortë të kësaj nisme. FMN doli hapur kundër planit të qeverisë me këtë argument: “Njoftimi për bashkimin e administratave tatimore dhe doganore është mirë të rikonsiderohet edhe një herë, po të kemi parasysh risqet e larta të cënimit të mbledhjes së të ardhurave dhe reformat që po bëhen në administratën tatimore. Më në përgjithësi, riorganizimi i administratës së qeverisjes qendrore është mirë të zbatohet me vëmendje të veçantë tek efekti funksional-thuhet në deklaratë” vlerëson FMN.
Projekti i shkrirjes së tatimeve me doganat në një institucion ishte një premtim i hershëm i socialistëve, pjesë e programit të parë qeverisës që duhet të ishte realizuar në fund të 2017. Në atë kohë u tha se bashkimi i tyre do të ulte korrupsionin si dhe lehtësonte procedurat për biznesin.

Sicred