KRYEFAQJA » LAJME » Qeveria shqiptare harton një ligj të ri për pakicat kombëtare
Qeveria shqiptare, harton një ligj të ri për pakicat kombëtare

Qeveria shqiptare harton një ligj të ri për pakicat kombëtare

Kryeministri socialist Edi Rama, ka bërë të ditur se qeveria e tij po harton një ligj të ri për pakicat kombëtare në Shqipëri, i cili do të garantojë më shumë të drejtat e tyre. Duke folur në Sarandë në takimin “Minoritetet etnike, identitet i përbashkët europian”, zoti Rama tha se minoritetet janë pasuri shoqërore e kulturore e një vendi. Veçmas për minoritarët grekë në Shqipëri, ai tha se ata janë e do të jenë në shtëpinë e tyre, me liri, të drejta e detyrime të barabarta me shqiptarët. “Cilido që do të mundohet ta përdorë minoritetin grek si urë zjarri për qëllime politike, është i dënuar të dështojë” tha zoti Rama.
Duke e konsideruar si busull të politikës së majtë atë që e quajti “vëllazëria tradicionale mes qytetarëve të zakonshëm shqiptarë e minoritarë” kryeministri Rama tha se ligji i ri për minoritetet e bën Shqipërinë kontribuese shembullore në rajon për harmoninë ndëretnike. “Ta përforcojmë duke çuar më tutje cilësinë e legjislacionit tonë. Duke veçuar punën e nisur për hartimin e një ligji specifik për pakicat, ne jemi të vetëdijshëm që ka ende shumë për të bërë” tha zoti Rama.
Në takim ai tha se ligji i ri do të garantojë të drejtat arsimore të pakicave dhe se në këtë drejtim do të shihet mundësia e hapjes së zyrës arsimore për minoritetet e Dropullit dhe Finiqit. Ai njoftoi se do krijohet një fond i posaçëm për pakicat kombëtare, që do bëjë të mundur realizimin e projekteve sociale për to.
Kryeministri preku edhe çështjen e pronave në minoritet. Zoti Rama tha se nga vjedhja e tyre e kanë pësuar të gjithë shqiptarët dhe jo vetëm minoritarët. Por sipas tij zgjidhja e këtij problemi shihet tek vetingu. “Shqipëria duhet të shpëtojë njëherë e mirë nga kthetrat e këtyre njerëzve që i kanë bërë këtij vendi atë që s’ia ka bërë asnjë pushtues dhe as diktatura” tha zoti Rama. “Lëvizjet e trojeve i kanë shkaktuar ata, gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar” nënvizoi ai.

Sicred