KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Qeveria shqiptare: Gati zbatimi i projektit të FMN për taksën e pasurisë

Qeveria shqiptare: Gati zbatimi i projektit të FMN për taksën e pasurisë

Tre misione të Fondit Monetar Ndërkombëtar të viteve 2014-2015, i janë dedikuar implementimit të Kadastrës Fiskale, instrumentit ligjor që do të përmirësojë mbledhjen e taksës së pasurive të paluajtshme të shqiptarëve.
RTSH ka analizuar rëndësinë e kalimit nga metoda e taksimit mbi bazë sipërfaqe, në metodën e taksimit mbi bazë vlerë si dhe shifrat aktuale të këtij taksimi, si një nga taksat vendore, të cilat supozohet të kenë një ndikim të madh në të ardhurat e buxheteve të njësive të qeverisjes vendore.
Në raportin e FMN-së i datës 24 mars 2014 dhe raporti për mënyrën e implementimit të Kadastrës Fiskale pas misionit në datat 25 shtator deri më 8 tetor 2014, analizohet se, taksa mbi ndërtesën që aplikohet aktualisht, në qytet llogaritet në rreth 30.6 milion m2, ndërsa në fshat llogaritet rreth 27.0 milion m2, kaq sa është sipërfaqja e banesave të rregjistruara. Vlerësimi i të ardhurave të përfituara nga kjo taksë sipas Censusit të 2011, do të ishte rreth 17 milion $, ose 0.13% të GDP.
Aktualisht, tregu më aktiv, është tregu i ndërtesave dhe për këtë arsye, synohet të fillohet me kategorinë “ndërtesa” dhe më pas, në një fazë tjetër, të përfshihen edhe kategoritë e tjera të pasurive të paluajtshme objekt të kësaj takse, si psh “trualli” dhe “toka bujqësore”.
Për tremujorin e parë të vitit 2017, në rang vendi janë mbledhur vetëm 11,2 % ose rreth 472 milion lekë, taksa e pasurisë mbi tokën bujqësore 3,28 % ose vetëm 138 milionë lekë. Tirana mbledh pjesën e luanit të kësaj takse, rreth 1,6 miliardë lekë për vitin 2016, dhe vetëm 211 milionë lekë për tremujorin e parë të 2017.
Propozimi i ri i qeverisë pritet të sigurojë 2,5 herë më shumë të ardhura nga kjo taksë, ose 0,32 % të Prodhimit të Përgjithshëm të Brendshëm. RTSH ka gjetur se qeverisja vendore dhe funksionet e saj kushtojnë rreth 3 Euro në muaj për çdo banor, ndërkohë që të ardhurat e mbledhura nga taksat dhe tarifat janë në nivelin 1.4 euro në muaj për banor.

Sicred