KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Qeveria Shqiptare do të eleminojë praktikat e shmangjes së taksave
Qeveria Shqiptare do të eleminojë praktikat e shmangjes së taksave

Qeveria Shqiptare do të eleminojë praktikat e shmangjes së taksave

Një skemë relativisht e re e shmangies ndaj taksave, është përhapur gjerësisht vitet e fundit, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore. Individë me paga të larta regjistrohen si persona fizikë, (biznes i vogël) dhe faturojnë kompanitë që ata punojnë, në mënyrë që të shmangin tatimin mbi të ardhurat personale, që për pagat e larta arrin deri në 23 përqind. Këta janë kryesisht doktorë në spitale private, konsulentë, apo individë të tjerë me të ardhura të larta, përfshirë edhe të huaj, që duke shfrytëzuar ndryshimet ligjore të vitit 2014, po bëhen subjekt i shmangieve fiskale.
Për pagat, që prej vitit 2014, tatimi mbi të ardhurat personale-TAP është progresiv. Nga zero deri në 30 mijë lekë, TAP është zero, nga 30,0 përqind e shumës mbi 130 mijë lekë.
Në të kundërt, bizneset e vogla janë pothuajse të përjashtuara nga taksat. Që nga fundi i vitit 2015, për bizneset me xhiro deri në 5 milionë lekë, tatimi është zero, ndërsa bizneset me xhiro nga 5-8 milionë lekë, tatimi i thjeshtuar është 5 përqind. Mbi 8 milionë lekë bizneset kategorizohet si i madh dhe paguajnë 15 përqind tatimfitimi.
Një individ me një pagë 300 mijë lekë në muaj (3.6 milionë lekë në vit) do të paguajë vetëm si tatim mbi të ardhurat nga paga (pa përfshirë sigurimet) rreth 52 mijë lekë në muaj (625 mijë lekë në vit). Nëse ai faturon si biznes i vogël, e vetmja gjë që paguan janë sigurimet si i vetëpunësuar, rreth 6500 lekë në muaj.
Të dhënat zyrtare të Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se për 7-mujorin e parë 2017, të ardhurat e mbledhura nga TAP ishin 450 milionë lekë më pak krahasuar me faktin e vitit 2016, ndërsa janë gjithnjë e më të ulëta, duke nisur nga vitit 2014.
Ndërsa kryeson në TVSH, tatim fitim, kontribute, Shqipëria mban rekord dhe për taksimin e individëve, sidomos atyre me paga të larta.
Norma progresive prej 23 përqind, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11 përqind. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11 përqind, nga 9 përqind që tatohen pagat nën këtë nivel.
Por qeveria e re ka vendosur të zbusë këtë nivel taksimi, duke pranuar se do të ketë një rishikim të tatimit të individëve me paga të larta, me tendencë zbutjen e këtij tatimi. Nga ky rishikim përfitojnë vetëm nga administrata publike rreth 26 mijë të punësuar, ndërsa efekti kryesor vjen për punësimin privat të ekspertëve dhe specialistëve të lartë.

Sicred