KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Qeveria rrit pagën minimale
Qeveria rrit pagën minimale

Qeveria rrit pagën minimale

Paga minimale në Shqipëri do të rritet nga 22 mijë lekë në 24 mijë lekë. Deklarimin e ka bërë pak ditë më parë, ministri i Financave Arben Ahmetaj, ndërsa të martën qeveria ka firmosur vendimin përkatës.
Pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe hyrjes në fuqi të kësaj page, të gjitha detyrimet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore do të duhet të llogariten mbi këtë pagë. Përjashtim do të bëjnë punonjësit e administratës shtetërore, qëndrore dhe lokale, për të cilët ka një tjetër nivel të pagës minimale për efekt të taksës së punës, prej 37 mijë e 500 lekësh.
Por cilat kategori prek kjo pagë? Nga 27 shtete anëtare të BE-së, 18 prej tyre nuk kanë pagë minimale. Në Shqipëri ende nuk ka një ligj për pagë minimale, të studiuar në përputhje me Kartën Sociale dhe qëllimet e Strategjisë së Lisbonës. Niveli i kësaj page vendoset vetëm me vendim të Këshillit të Ministrave. Ky nivel nuk korrektohet me produktivitetin dhe as krahasohet me humbje të vendeve të punësimit për të rinjtë. Si rregull paga minimale duhet të jetë një marrëveshje midis punëmarrësit dhe punëdhënësit.
Kategoritë e punëdhënësve që janë prekur nga caktimi i pagës minimale në nivel kombëtar janë sidomos ata që punojnë me material porositësi, shpenzimet për paga të të cilëve përbëjnë deri ne 80 përqind të shpenzimeve të përgjithshme. Rritja e pastudiuar e pagës zakonisht ul konkurrueshmërinë e bizneseve dhe sjell uljen e fitimeve të pritshme.
Ndërkohë qeveria duhet të garantojë pjesën e munguar të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, e cila prej 25 vjetësh vijon të paguhet nga buxheti i shtetit, duke mos u siguruar nga raporti i kontribuesve dhe përfituesve në punë. Grafiku e tregon këtë.
Vetëm për vitin 2017 buxheti i shtetit grumbullon nga kontributet rreth 69 miliardë lekë dhe shpenzon, si transferta për pensione dhe indeksim pensionesh, rreth 114 miliardë lekë.

Sicred