KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Qeveria kërkon sistem të ri fiskal, shpallet tenderi

Qeveria kërkon sistem të ri fiskal, shpallet tenderi

Pas më shumë se tetë vjet të funksionimit të sistemi fiskal shqiptar, duket se do të ndryshojë gjithçka pothuajse rrënjësisht. Sistemi e-TAXE dhe e-NEXUS do t’i mbeten historikut të fiskut shqiptar, sapo të shpallet fituesi dhe të fillojë zbatimi i sistemit që po tenderohet.
Njoftimi është bërë tashmë publik dhe madje edhe kosto e sistemit të ri që kushton jo më pak se 15 milionë euro. Sipas tenderuesve, qëllimi i tenderit është krijimi i Sistemit të Menaxhimit dhe Kontrollit të Faturave (MKF), që do të thotë kontrolli i transaksioneve dhe pagesave me dhe pa para në dorë.
Një modul i këtij sistemi parashikon gjithashtu gjurmimin e pasurisë së tatimpaguesve, që nuk ka ekzistuar deri sot.
Tatimorët do të marrin informacion real për pasuritë e tatimpaguesve, nëpërmjet “Katalogut të pasurisë të tatimpaguesit” si dhe një “Regjistër Qendror gjithëpërfshirës i Pasurive te Patundshme”, ku do të përfshihet regjistrimi i ndërtesave dhe të tokës dhe pronarëve të tyre në Republikën e Shqipërisë.
Sistemi i pajisjeve fiskale në DPT (Platforma Nexus) që përdoret aktualisht është instaluar duke filluar nga viti 2010 dhe ka përfunduar në vitin 2016. Ai ka kushtuar rreth 13 milionë euro, ndërsa përdoret nga Drejtoritë Rajonale Tatimore, nga shoqëritë e autorizuara si dhe nga tatimpaguesit.
Ky sistem nuk identifikon kuponin në kohë reale, por transmeton vetëm totalin e xhiros dhe numrin total të kuponëve të printuar nga çdo pajisje fiskale një herë në ditë. Sistemi aktual nuk ka modulin e hartës dixhitale ku të lokalizohen pajisjet fiskale. Sistemi nuk menaxhon ndërhyrjet e teknikëve të autorizuar dhe të japë të drejtat e ndërhyrjes apo roleve. Kasat fiskale kanë transmetuar shume raporte me mospërputhje vlerash, janë disa prej problemeve.
Disa vjet më parë, Ministria e Financave tentoi të jepte me koncesion mbledhjen e TVSH-së, që përfshinte ndër të tjera dhe zëvendësimin e sistemit Nexus dhe pasijeve fiskale, projekti u la, pas kundërshtimeve të FMN-së.

Sicred