KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Qeveria kërkon ndryshimin e ligjit të investimeve

Qeveria kërkon ndryshimin e ligjit të investimeve

Kuvendi i Shqipërisë ka marrë në konsideratë kërkesën e qeverisë shqiptare për ndryshimin e menëjershëm të ligjit ekzistues për investimet. Me anën e këtij ndryshimi synohet zgjatja e afatit të paraqitjes së kërkesave nga subjektet investuese të interesuara për përfshirjen në procedurat për përfitimin e statusit “Investim/investitor strategjik, procedurë e asistuar/e veçantë”, në zbatim të këtij ligji, deri në datën 31 dhjetor 2019.

Prej muajit shkurt të vitit të kaluar Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka kërkuar hartimin e ligjit të ri “Për investimet”, si domosdoshmëri, pasi legjislacioni në fuqi në Republikën e Shqipërisë u jepte një mbrojtje shtesë investimeve të huaja, por jo atyre vendase, ndërkohë që një korpus i ri ligjor më vete ishte krijuar për investimet strategjike. Miratimi i këtij ligji do të bëhet brenda vitit 2019.

Në tre vitet e fundit, asnjë investitor potencial nuk e ka zgjedhur Shqipërinë, teksa rajoni është shndërruar në oazin e industrisë automative. Stoku i lartë i investimeve të huaja që po udhëhiqet nga investimet TAP dhe në HEC-et mbi lumin Devoll pritet të fashiten shpejt nëse nuk merren masa shpejt. Në përpjekje për t’i paraprirë kësaj situate qeveria po merr në konsideratë të ndryshojë bazën legjislative për investimet e huaja. Në dokumentin e programit të reformave 2017-2019 është caktuar që qysh këtë vit të nisë puna për hartimin e një ligji të unifikuar për investimet e huaja.

Pritet që në ditët në vijim komisionet respektive të Kuvendit të miratojnë ndryshimet ligjore të kërkuara nga Qeveria.

Sicred