KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Qeveria i kërkon Kuvendit lehtësimin e investitorëve të energjisë elektrike
Qeveria i kërkon Kuvendit lehtësimin e investitorëve të energjisë elektrike

Qeveria i kërkon Kuvendit lehtësimin e investitorëve të energjisë elektrike

Ndërtimi i kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike nga HEC-et apo TEC-et që janë vepra komplekse dhe që kanë rëndësi të veçantë për sistemin elektroenergjetik shqiptar, nuk mund të presë mbi dy vjet, si ndodh sot me ligjin ekzistues të partneritetit publik privat. Qeveria ka ndërhyrë në ligj për një ndryshim të rëndësishëm, duke përjashtuar nga leja hidrocentralet me kapacitet të instaluar mbi 2 Megavat dhe me vlerë investimi jo më pak se 100 milionë euro si dhe termocentraleve nga procedurat e parashikuara në ligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”.
Ndërhyrja në ligj e qeverisë mundëson thithjen e investimeve strategjike të huaja dhe atyre vendase, duke synuar përshpejtimin e realizimit të projekteve elekroenergjetike dhe duke krijuar në të njëjtën kohë edhe kushtet për përmirësimin e situatës ekonomike të vendit.
Që nga viti 1999, Shqipëria është kthyer në një importues neto të energjisë elektrike, duke rezultuar deficitar në mbulimin e kërkesës për energji elektrike nga burimet primare. Kjo reflektohet dhe në kosto të larta financiare që ka rezultuar herë pas here dhe që kanë vënë në vështirësi sistemin elektroenergjetik shqiptar dhe financat në buxhetin e shtetit. Nisur nga praktika e deritanishme, shumë investitorë që kanë patur interes për të investuar në sektorin elektroenergjetik, janë tërhequr pas konstatimit se kuadri ligjor shqiptar për koncesionet dhe PPP-të kërkon një kohë të gjatë prej më shumë se dy vjetësh, për finalizimin e kontratës koncesionare. Në optikën e zhvillimeve të fundit në sektorin energjetik shqiptar, ku kërkesa në rritje për konsum të energjisë ndeshet me pamjaftueshmërinë e plotësimit të saj nga prodhimi vendas, rritjen e ngarkesës energjetike e cila nuk shoqërohet me rritjen analoge të kapacitetit të prodhimit të energjisë elektrike, del si domosdoshmëri ndërtimi i objekteve të reja gjeneruese, argumenton Këshilli i Ministrave në ndryshimin e kërkuar ligjor.

Sicred