KRYEFAQJA » LAJME » Qeveria e Kosovës harton platformë për dialogun me Serbinë

Qeveria e Kosovës harton platformë për dialogun me Serbinë

Qeveria e Kosovës miratoi një platformë për periudhën përmbyllëse të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që është edhe kusht për integrimin e të dyja palëve në Bashkimin Europian. Në platformën tetëpikëshe thuhet se, Kosova pret që përfundimi i bisedimeve të çojë në njohje të ndërsjellë, duke respektuar sovranitetin dhe tërësinë tokësore, anëtarësimin e Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, përkrahjen dhe garantimin e zbatimit të marrëveshjes nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në platformë theksohet se bisedimet do të udhëhiqen nga presidenti i vendit dhe një delegacion, që pritet të përbëhet nga i gjithë spektri politik, ndërsa Parlamenti i Kosovës pritet të jetë autoriteti i lartë i cili do të ratifikojë marrëveshjen ligjore ndërkombëtarisht të detyrueshme, mes Kosovës e Serbisë. “Besoj që nga të gjitha reflektimet që kemi, ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës t’i propozojë Parlamentit një platformë për dialogun final, platformë të cilën deputetët e vendit mund ta votojnë si rezolutë, pra ta fuqizojnë si rezolutë”, tha Haradinaj. Në të njëjtin kuadër, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj tha se qëllimi i platformës është krijimi i një uniteti institucional dhe partiak për periudhën e fundit të bisedimeve me Serbinë. Një platformë e tillë po hartohet për herë të parë në Kosovë, e sipas autoriteteve është shumë e rëndësishme për arritjen e një konsensusi partiak në vend, në kohën kur Kosova pritet të përballet me shumë sfida që dalin nga bisedimet me Serbinë, me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

Sicred