KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Qeveria dorëzon në kuvend ndryshime në ligjin e turizmit
Qeveria dorëzon në kuvend ndryshime në ligjin e turizmit

Qeveria dorëzon në kuvend ndryshime në ligjin e turizmit

Lehtësitë fiskale për sektorin e rëndësishëm të turizmit do të mbeteshin në letër, nëse qeveria nuk do të konsideronte edhe ndryshimin e ligjit bazë të turizmit. Më në fund deputetët e kuvendit kanë në duar ndryshimet përkatëse që i hapin rrugë edhe mbështetjes fiskale të sektorit.
Sikursë përmend qeveria në relacionin dërguar Kuvendit, synimi është “që të specifikohen qartësisht të gjitha lehtësitë fiskale dhe të tatimtaksave që mund të përfitojnë disa nga investimet më të rëndësishme në sektorin e hoteleri-turizmit në vend”.
Kjo nismë synon t’i ofrojë më tepër lehtësi të gjithë operatorëve vendas apo të huaj, të cilët kërkojnë mundësinë e realizimit të investimeve të mëdha në Shqipëri në sektorin e turizmit elitar, për shkak të lehtësimit të një pjese të taksave dhe të tatimeve që aktualisht rëndojnë mbi këta investitorë. Gjithashtu, kjo nismë synon ta bëjë Shqipërinë shumë më tërheqëse, si dhe ta pozicionojë atë në të njëjtin nivel konkurrueshmërie me disa nga vendet e rajonit të Ballkanit, të cilat, duke ofruar lehtësi të konsiderueshme në taksa dhe tatime për investimet e mëdha në turizëm, tërheqin aktualisht më shumë investime të huaja direkte dhe turistë në numër sesa vendi ynë.
Por përkundër uljes së TVSH për shërbimet nga 20 në 6 përqind, përjashtimit nga taksa e infrastrukturës, përfitimit të reduktimit të TVSH për çmimin e akomodimit etj, ky ndryshim ligjor krijon mundësi të reja për të gjithë ata investitorë vendas dhe të huaj që duan të investojnë në turizmin elitar. Befasia është se këto ndryshime ligjore hyjnë në fuqi 9 muaj pas miratimit të ligjit, ndërsa lehtësitë fiskale të tyre hyjnë në fuqi në 1 janar 2018. Theksojmë se lehtësitë nuk i përfitojnë investimet e tanishme në turizëm. Sipas Bankës së Shqipërisë “në vitin 2016 ekonomia shqiptare përfitoi 1.5 miliardë euro të ardhura nga turizmi, duke qenë e barabartë me 15 për qind të prodhimit kombëtar”. (Përgatiti B.Sejdarasi)

Sicred