KRYEFAQJA » LAJME » Qeveria amerikane, drejt një mbylljeje tjetër të qeverisë pas 15 shkurtit

Qeveria amerikane, drejt një mbylljeje tjetër të qeverisë pas 15 shkurtit

Kur kanë mbetur edhe pak ditë nga afati kur Presidenti Donald Trump dhe ligjvënësit duhet të arrijnë një kompromis për një marrëveshje për sigurinë e kufirit, e cila do të shmangte një tjetër mbyllje të qeverisë të premten që vjen, optimizmi për gjetjen e një gjuhe të përbashkët, sa vjen e shuhet. Senatori Richard Shelby i cili kryeson grupin e republikanëve në negociatat për fondet për murin i tha “Fox News-it” se mendonte se “bisedimet kanë ngecur. Nuk kam besim qe do ta arrijmë” marrëveshjen”, tha ai. Shefi e Personelit në detyrë i Shtëpisë së Bardhë, Mick Mulvaney tha në emisionet e mëngjesit të së dielës në televizionet amerikane, se një mbyllje tjetër e qeverisë absolutisht nuk mund të përjashtohet. Zoti Mulvaney shtoi se Presidenti Trump do të bëjë çfarëdo të jetë e mundur ligjërisht për të siguruar murin. Aeroporte të bllokuara, muzeume të mbyllura dhe punonjës të papaguar të qeverisë… Këto janë disa nga skenat e mbylljes së qeverisë që mund të përsëriten nëse Presidenti dhe Kongresi nuk arrijnë një marrëveshje për kërkesën e tij për murin kufitar.

Presidenti Trump pranoi të miratojë një buxhet të përkohshëm të qeverisë për tre javë, deri më 15 shkurt, duke i dhënë kohë komisionit dypartiak të ligjvënësve për të gjetur një kompromis. Draft-marrëveshja duhet të miratohet gjithashtu nga Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë demokrate, si dhe në vazhdim të dekretohet nga Presidenti.Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka sinjalizuar se është e gatshme të mbështesë një buxhet për një lloj gardhi kufitar, për teknologjinë më të fundit dhe për më shumë personel në pikat e hyrjes kufitare. Por, demokratët qëndrojnë të bashkuar kundër buxhetit për një mur që dëshirohet nga mbështetësit e Presidentit Trump. Ky ka qenë edhe një premtim i tij i përsëritur që nga ditët e para të fushatës për zgjedhjet presidenciale.

Presidenti Trump ndoshta do të pranojë një kompromis për të shmangur opsionin jopopullor të mbylljes sërish të qeverisë, apo të shpalljes së emergjencës kombëtare në kufi për të siguruar buxhetin për murin. Megjithatë, shumë republikanë nuk dëshirojnë që Presidenti Trump të marrë këtë drejtim, pasi shpallja e emergjencës do të pasohej nga sfida të shumta ligjore ndaj autoritetit të Presidentit.

Sicred