KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Qamil Grezda, rrugëtimi i një piktori

Qamil Grezda, rrugëtimi i një piktori

I njohur dhe i panjohur, i lartësuar dhe i lënë qëllimisht në hije. Në këtë zigzag humori të regjimit mund të përcaktohet luhatja e rrugëtimit të artistit Qamil Grezda.
I shkolluar në Akademite e Arteve në Firence dhe në Romë, ai do të mbarte me vete gjithë jetën, elegancën dhe ndikimin roman në trajtimin e potreteve dhe nudove, teksa peneli do ti përpiqej më tej të grabiste copëza nga peisazhi shqiptar e ti sillte ato në tablo.
Pikërisht këtë titull i ka dhënë edhe kuratori Oltsen Gripshi ekspozitës “Qamil Grezda, grabitqari i bukurisë së natyrës”, nje ekspozitë retrospektivë e cila hapet me rastin e 100 vjetorit të lindjes së artistit. “Ndihet shkolla italiane, ndihet Anigoni, ndihet ajo frymë e viteve 30-40. Është një pikturë që ndihet forca e akademisë, apo fryma italiane” thotë drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve Artan Shabani.
I biri i Qamil Grezdës, Ermiri, kujton se nostalgjia e të jatit ishte Italia, Roma, Firencja. “Në shpirtin dhe gojën e tim eti, Firencja ka qenë më liberale, më impresioniste, më e hapur” kujton ai.
Në këtë ekspozitë prezantohet me një koleksion të pasur prej 55 veprash. Midis tyre janë tablo në teknikën e vajit, 9 nga të cilat pjesë e fondit të GKA, vepra në teknikën e pastelit dhe vizatime në letër, të cilat zënë një pjesë të rëndësishme në ekspozitë.  Përmes retrospektivës, por edhe veprave të paekspozuara më parë, vizitorët do të mund të njohin disa aspekte të jetës dhe rrugëtimit artistik të Qamil Grezdës.
Kuratori i ekspozitës Oltsen Gripshi thotë se “… Grezda është një artist një piktor që ka patur rrugëtimin e tij në artet figurative shqiptare”. Ekspozita përmbyllet me një maskë të Qamil Grezdës, e krijuar nga i biri Ermir Grezda, kur i jati mbylli sytë.

Për piktorin Grezda ndikimi nga piktura italiane dhe mjeshtrat e saj ishte i pashmangshëm. Një frymë, e cila në rrafshin historik gjen shumë elementë të përbashkët me pikturën e peizazhit napoletan të viteve 1800 të shekullit XIX-të.

Sicred