KRYEFAQJA » LAJME » Bota » Putin i përgjigjet ultimatumit të Uashingtonit: Zhvillojmë raketat e ndaluara

Putin i përgjigjet ultimatumit të Uashingtonit: Zhvillojmë raketat e ndaluara

Rusia do të prodhojë raketa që ndalohen në bazë të traktatit të Luftës së Ftohtë nëse Shtetet e Bashkuara tërhiqen prej tij. Deklarata është bërë nga presidenti rus Vladimir Putin, një ditë pas akuzave të NATO-s se Kremlini e ka shkelur tashmë traktatin për raketat bërthamore me rreze të mesme veprimi. Për Putin, akuzat e Aleancës janë një pretekst më shumë që Shtetet e Bashkuara ta braktisin akordin e vitit 1987. “Papritur, partnerët tanë amerikanë besojnë se situata ka ndryshuar kaq shumë saqë ata duhet ta kenë një armë të tillë”, ka thënë Putin. I pyetur se cila do të jetë përgjigjia e Moskës përballë një skenari të tillë, ai është përgjigjur: “Nëse do t’i prodhojnë ata, atëherë do t’i prodhojmë edhe ne”. Presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi muajin e kaluar se vendi i tij do të tërhiqet nga traktati për shkak të veprimeve të Rusisë. Për ekspertët, Moska i konsideron armatimet si një alternativë të lirë në mungesë të kapaciteteve jovdekjeprurëse. Ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s zyrtarizuan akuzat ndaj Kremlinit, duke dalë në krahë të Shteteve të Bashkuara. “Aleatët kanë arritur në përfundimin se Rusia ka zhvilluar sistemin raketor “9 M 729”, që përbën shkelje të traktatit dhe një rrezik të madh për sigurinë Euro-Atlantike”, u tha në deklaratën zyrtare. Raketat e reja me rreze të mesme veprimi për të cilat Amerika dhe tani edhe NATO akuzojnë Rusinë, i mundësojnë kësaj të fundit të kryejë një sulm bërthamor ndaj çdo vendi anëtar të Aleancës në një kohë shumë të shkurtër.

Sicred