KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Psalm me fill të artë

Psalm me fill të artë

Çdo centimetër nis si një këngë e shenjtë, frymëzuar nga rrënjët dhe simbolet e etnografisë shqiptare. Një fill i artë që nuk është vetëm metaforë, por edhe mediumi me të cilin artistja e re Egla Memaj na fton të hyjmë në thellësitë e artit të saj. Simbolet shqiptare të cilat i gjejmë bujarisht të pasura në kostumet etnografike, ajo i sjell në një ekspozitë të plotë madhështuar në vepra të mirëfillta arti. Punuar me teknikën e qendismës me fill të artë mund të bëjmë bashkë copëza kostumesh dhe flamuj të vjetër me simbolin e gjithëhershëm shqiponjën dykrerëshe. Orë të stërzgjatura ndalur mbi mëndafsh për të sjellë këto copëza mrekullie. “ Në këtë ekspozitë është gati tre vjet e ca punë. Duke punuar gjërat rrjedhin gradualisht, nuk është se kam ndonjë preferencë për arin më tepër se sa për bronzin apo për bakrin, thjesht rrodhën natyrshëm” tha artistja Egla Memaj.

Një talent i pikasur dhe orientuar drejt kësaj veçantie të rimishërimit të rrënjëve në vepra arti ka gjetur mbështetjen e profesoreshës dhe kuratores së ekspozitës Najada Hamza. “Më shkakton emocion çdo student që përpiqet të kuptoje origjinën, i cili përpiqet të qëndroje tek origjina dhe në një kuptim ta mbroje ktë origjinë. Egla është një nga ato vajza. Puna e bërë me flamujt është një punë e jashtëzakonshme. Nëqoftëse patë instalimin e flamujve ajo është përpjekur të koleksionoje me shumë kujdes me studjues të flamujve shqiptarë gjithë flamujt tanë të vjetër dhe i ka rikthyer ata në një formë shumë të personalizuar sepse e ridizajnon shqiponjen e lë fiks siluetin ashtu siç është por po të shikoni pjesa e brendshme e trupit ridizajnohet sipas saj në formatin e mediumit që ajo përdor” thotë petagogia Hamza.

Ekspozita “Psalm” mbart 29 punime tablo të cilat paraprihen nga një punë studimore në arkivat dhe muzetë etnografike siç është ai i Beratit. Atje ku artistja ka gjetur frymëzim dhe ka zbuluar dashurinë për motivet shqiptare nga shqiponja, dragoi, kulti i gjarpërit, dafina apo të tjera motive floreale me të cilat kostumet shqiptare janë aq të pasura.

Sicred